EBU uron Zana Spahiun dhe shpreh gatishmëri për mbështetjen e RTK-së
B. H. | RTKlive
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka uruar Zana Spahiun për emërimin e saj si Drejtoreshë e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës. Në një letër urimi, drejtori i përgjithshëm i EBU-së, Noel Curran, ka vlerësuar emërimin e Spahiut.
Ai ka shprehur shpresën se mandati i saj do të sjellë vazhdimësi dhe stabilitet në RTK, pas një periudhe pa udhëheqje të qëndrueshme ekzekutive.
“Shpresojmë shumë që mandati juaj do të sjellë vazhdimësi dhe stabilitet dhe do të krijojë kushtet që RTK të përshpejtojë transformimin dhe modernizimin e saj”, thuhet në letrën e kreut të EBU-së.
EBU ka theksuar gjithashtu rëndësinë e emërimit të Spahiut si gruaja e parë në pozitën e drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së.
“Emërimi juaj si gruaja e parë që shërben si Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së është gjithashtu një moment i rëndësishëm dhe ju urojmë çdo sukses në marrjen e kësaj përgjegjësie të madhe”, thuhet në urim.
Në letër rikujtohet bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet RTK-së dhe EBU-së, përmes të cilit transmetuesi publik i Kosovës përfiton nga aktivitetet, ekspertiza dhe mundësitë e ndryshme për shkëmbim profesional.
EBU ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj RTK-së në përmbushjen e misionit të saj të shërbimit publik, duke vënë theksin te forcimi i transmetuesit, transformimi digjital, modernizimi i shërbimeve dhe zhvillimi i mënyrave të reja për t’iu afruar audiencës.
Po ashtu, Spahiut i është propozuar një takim me drejtorin e përgjithshëm të EBU-së, Noel Curran, në javët në vijim, si dhe një vizitë prezantuese në selinë e EBU-së në Gjenevë, për të diskutuar prioritetet dhe ambiciet e RTK-së.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së është ftuar gjithashtu në Samitin e Lidershipit të Evropës Qendrore dhe Lindore, që do të mbahet në Split nga 28 deri më 30 shtator, si dhe në Asambletë e Përgjithshme të EBU-së, në fund të këtij viti në Gjenevë dhe në verën e vitit të ardhshëm në Maltë.

























