Superliga vjen sot me duelin Llapi-Gjilani
F.B/RTKLive
Superliga e Kosovës në futboll, vjen sot me përballjen mes Llapit dhe Gjilanit, një tjetër duel interesant që do të luhet në ‘Zahir Pajaziti’ në kuadër të xhiros së dytë.
Skuadra vendase do të kërkojë reagimin pas një starti me humbje. Llapi u mposht 5:3 nga Drita në Gjilan, në një ndeshje me plot gola, ku podujevasit arritën të shënojnë tri herë, por nuk patën sukses të ruajnë rezultatin.
Gjilani, në anën tjetër, e nisi sezonin me fitore. “Skifterat” triumfuan 3:1 ndaj Feronikelit ’74 në udhëtim, duke marrë tri pikët e para të kampionatit dhe duke krijuar një atmosferë pozitive në skuadër.
Për Llapin, sfida e sotme para tifozëve të vet është mundësi për të regjistruar pikët e para të sezonit, ndërsa Gjilani synon të vazhdojë me rezultate pozitive dhe të marrë fitoren e dytë radhazi.
Duke pasur parasysh rezultatet e xhiros së parë, përballja në “Zahir Pajaziti” pritet të jetë interesante dhe me rivalitet të fortë, pasi të dyja skuadrat kanë objektiva të qarta për këtë takim.























