Presidenca: Emërimi i anëtarëve të KQZ-së ende nuk është përmbyllur
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka njoftuar se procedura për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende nuk është përmbyllur.
Sipas njoftimit, pas pranimit të propozimeve me shkrim nga subjektet politike për anëtarët e KQZ-së, Zyra e Presidentes u është drejtuar institucioneve kompetente të sigurisë për verifikimin e kandidatëve të propozuar.
“Afati pesëditor nga pranimi i propozimeve ka përfunduar të premten, ndërsa procedura e emërimit ende nuk është përmbyllur për shkak se Zyra e Presidentes është në pritje të përgjigjeve nga institucionet kompetente lidhur me verifikimet e kërkuara”, thuhet në njoftim.
Presidenca ka bërë të ditur se pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra e Presidentes do të ndërmarrë veprimet e mëtejme për përmbylljen e procedurës së emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.























