Komuna e Prishtinës me apel urgjent për qytetarët: Kujdes nga zjarret
BKT
Në Fokus

Komuna e Prishtinës me apel urgjent për qytetarët: Kujdes nga zjarret

Sh.G|RTKlive

Komuna e Prishtinës u ka bërë apel qytetarëve për kujdes të shtuar, pas zjarreve që kanë përfshirë malet përreth kryeqytetit.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe thatësisë, Komuna paralajmëron se edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë përhapje të shpejtë të zjarrit, duke rrezikuar pyjet, kafshët, pronat dhe jetën e qytetarëve.

Qytetarëve u bëhet thirrje të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina, si dhe të mos hedhin cigare të ndezura apo të lënë prush në ambiente të hapura.

Në rast se vërejnë tym ose zjarr, qytetarët këshillohen të largohen nga zona e rrezikut dhe të njoftojnë menjëherë Zjarrfikësit e Kryeqytetit në numrin 193.

Komuna ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilët po përballen me zjarret dhe po punojnë për mbrojtjen e qytetarëve, pronave dhe mjedisit.

“Një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë një katastrofë të madhe”, thuhet në apelin e Komunës së Prishtinës, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve për përgjegjësi dhe kujdes maksimal.


MË SHUME NGA Në Fokus