Muzika bashkon Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut
Sh.G|RTKlive
Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka mbajtur të dielën dy koncerte, në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut.
Orkestra, e themeluar në vitin 2019, bashkon muzikantë të rinj profesionistë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Koncertet ishin pjesë e programit “Music of Today” dhe turneut veror 2026.
Dirigjenti dhe drejtori artistik, Desar Sulejmani, tha se përmes muzikës synohet përcjellja e një mesazhi të bashkëpunimit dhe afrimit mes komuniteteve.
Për disa prej muzikantëve, performancat në Mitrovicë ishin vizita e parë në këtë qytet. Anëtarët e orkestrës e vlerësuan përvojën si pozitive dhe shprehën dëshirën për t’u rikthyer.
BE-ja ka mbështetur orkestrën përmes programit “Creative Europe”, duke financuar trajnimin profesional, koncertet, mbështetjen e kompozitorëve të rinj dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Koncertet në të dyja anët e Ibrit u zhvilluan si pjesë e përpjekjeve për të nxitur shkëmbimet kulturore, bashkëpunimin rajonal dhe mundësitë për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor.























