Punimet pranë Radio Kosovës ndërpriten, kundërshtohet bllokimi i rrugëve
Qendresa Duraku/ RTK
Punimet e nisura ditët e fundit në hapësirën mes objektit të Radio Kosovës, Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës janë ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Punimet në parking kanë shkaktuar, ndërkohë, bllokimin e rrugëve që pamundësojnë qasjen me automjete në këtë zonë. Ndërprerja e punimeve lidhet me statusin e veçantë të kësaj zone.
Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” është monument nën mbrojtje të përhershme, ndërsa hapësira përreth saj bën pjesë në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Sipas Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, edhe objekti i Radio Kosovës është përfshirë, me një vendim të tetorit të vitit të kaluar, në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme, në kategorinë e trashëgimisë arkitekturore.
Komuna e Prishtinës e ka konfirmuar ndërprerjen e përkohshme të punimeve, duke thënë se ajo është bërë për t'i shmangur paqartësitë dhe mundësuar konsultimet me institucionet kompetente.
“Çfarë po bëjmë, po krijojmë hapësira më të mira publike për qytetarët tanë, nuk jemi duke bërë këtë kundër askujt, as për inati të askujt por për të mirën e qytetarëve e në anën tjetër me kësi bllokada të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore”, tha Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës.
Por, përtej çështjes së lejeve dhe statusit të zonës së mbrojtur, punimet kanë prekur drejtpërdrejt funksionimin e Radio Kosovës. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili, e ka cilësuar të papranueshme bllokimin e rrugëve që mundësojnë qasjen në objekt.
” Do të thotë në këtë formë me bllokimin e të gjitha rrugëve e arterieve kryesore që e pamundëson funksionimin tonë, është e papranueshme dhe do t'i përdorim të gjitha mjetet për ta kundërshtuar këtë bllokim të rrugës”, tha Arsim Halili, ud.Drejtor i Radio Kosovës.
Halili thotë se RTK-ja i ka kërkuar Komunës së Prishtinës sqarim mbi bazën ligjore të punimeve dhe bllokimit të rrugëve. Sipas tij, kjo çështje është ngritur edhe më herët në gjykatë, ndërsa RTK-ja kërkon të dijë nëse për bllokimin aktual është nxjerrë ndonjë vendim i ri.
“Ne duam ta dimë bazën ligjore mbi bazë së cilës kanë vazhduar punimet, sepse jemi në dijeni që më herët ka qenë një vendim gjyqësor, një masë e sigurisë e cila i ka ndaluar punimet në atë pjesë të qytetit”, tha Halili.
Pas kërkesës zyrtare për sqarim që RTK përmes zyrës ligjore i kërkoi Komunës së Prishtinës, në përgjigjen e tyre thuhet se ndërhyrjet e parapara janë në përputhje me projektin kryesor dhe kontratën. Për realizimin e tyre janë siguruar vendimet dhe pëlqimet e nevojshme, përfshirë vendimin e QRTK- IKMM-së të datës 15.05.2026 për shtrirjen dhe zëvendësimin e gypave të azbestit të ujësjellësit, si dhe vendimin e datës 26.06.2026 për infrastrukturën nëntokësore dhe dyshemenë urbane.
Sipas komunës, deri në këto data, në zonën përkatëse nuk janë zhvilluar punime që lidhen me ndërhyrjet e përcaktuara në këto vendime, ndërsa kanë thënë se, pas kërkesës së inspektoratit kompetent të ministrisë, punimet do të mbeten të ndërprera deri në përfundimin e koordinimit me institucionet përkatëse. Për këtë arsye, kanë thënë ata, nuk mund të përcaktohet kohëzgjatja e procedurës.
Ndërkohë, RTK po përgatitet t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për masë sigurie për ndalimin e punimeve.























