KFOR: Prania në Urën e Ibrit do të kalojë gradualisht në një formë tjetër
BKT
Lajme

KFOR: Prania në Urën e Ibrit do të kalojë gradualisht në një formë tjetër

N.M. /RTKlive

KFOR ka bërë të ditur se kalimi gradual nga prania e përhershme në Urën e Ibrit është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe lidhet me vlerësimin e përmirësimit të situatës së sigurisë. Admirali George Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, ka theksuar se vendimet për praninë e KFOR-it në urë bazohen në vlerësimin e situatës së sigurisë.

“KFOR-i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Këtë duhet ta përcaktojnë BE-ja dhe institucionet përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, ka thënë Wikoff.

Ai ka shtuar se pjesëtarët e KFOR-it do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonat përreth urës.

Kurse komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özcan Ulutaş, ka thënë se përkushtimi i misionit për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë mbetet i palëkundur.

“Si gjithmonë, aktivitetet tona të përditshme do të zhvillohen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve”, ka deklaruar Ulutaş.

Në një njoftim, KFOR ka bërë të ditur se procesi i optimizimit, i paralajmëruar më 12 qershor 2026, po zhvillohet në mënyrë graduale, të koordinuar dhe transparente, me institucionet e Kosovës, BE-në, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.


MË SHUME NGA Lajme