Negociatat për subvencionimin e teksteve shkollore pritet të përmbyllen sot
BKT
Lajme

Negociatat për subvencionimin e teksteve shkollore pritet të përmbyllen sot

Qendresa Duraku/ RTK

Negociatat për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore pritet të përmbyllen brenda ditës. Kështu ka deklaruar ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku.

Çeku ka bërë të ditur se pas përfundimit të negociatave për çmimet do të përcaktohet edhe vlera e subvencionit, ndërsa më pas pritet të nisin pagesat për prindërit.

Sipas tij, synimi është që mjetet financiare të transferohen gjatë ditëve të mbetura para fillimit të vitit të ri shkollor, në mënyrë që prindërit të kenë kohë të blejnë tekstet dhe materialet e nevojshme për fëmijët.

Ndërkohë, prindërit që tashmë kanë blerë librat, pasi shkollat kanë publikuar listat e teksteve, pritet të kompensohen për shpenzimet e bëra.

Çeku ka thënë gjithashtu se nxjerrja e librave në shitje pa përfunduar negociatat për çmimet dhe subvencionimin përbën shkelje.

Ministria e Arsimit kishte hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e klasave 1 deri në 9, ndërsa mjetet financiare parashihet t’u transferohen drejtpërdrejt prindërve.

 


MË SHUME NGA Lajme