Daja kërkon efikasitet nga Dinamo City para përballjes vendimtare me Pafos
Uran Krasniqi / RTKLive
Trajneri i Dinamo City, Ilir Daja, ka theksuar rëndësinë e efikasitetit në sulm para ndeshjes së kthimit ndaj Pafos FC, në kuadër të barazhit për kualifikim në Conference League.
Ndeshja e parë, e zhvilluar në Tiranë, kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1:1, ndërsa Daja ka vlerësuar se Dinamo City kishte mundësitë e veta për të marrë një rezultat edhe më të mirë.
“Ndeshja e parë ishte një ndeshje e barabartë, gjë që e tregoi edhe rezultati. Në pjesën e parë nuk ishim në nivelin tonë më të mirë, por në fund të pjesës së parë dhe në fillim të pjesës së dytë kishim shanset tona”, ka thënë Daja.
Ai ka pranuar se përballë një kundërshtari të fortë si Pafos, skuadra duhet t’i shfrytëzojë maksimalisht rastet që i krijohen.
“Kur luan me një skuadër të fortë si Pafosi, duhet të jesh efikas në finalizim. E dimë se çfarë loje na pret në ndeshjen e nesërme, pasi Pafosi është më i fortë në fushën e vet”, ka theksuar trajneri i Dinamo City.
Daja ka bërë të ditur se gjatë përgatitjeve fokusi kryesor i ekipit ka qenë pikërisht finalizimi, duke pasur parasysh se në ndeshje të këtij niveli nuk krijohen shumë raste për shënim.
“Në fokusin kryesor gjatë seancave stërvitore ka qenë finalizimi, sepse në nivele të tilla nuk krijohen shumë shanse. Ato raste që krijohen duhet të shfrytëzohen”, është shprehur ai.























