Nënshkruhen marrëveshjet për projektin e banimit social për Ferizaj e Shtime
A.B/RTKLive
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjet për Projektin e Banimit Social Adekuat.
"Ferizaj përfiton 2 milionë e 815 mijë euro nga projekti i Banimit Social Adekuat nga Qeveria e Kosovës! .Sot, së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënshkruam marrëveshjen për Projektin e Banimit Social Adekuat. Ferizaj përfiton investim deri në 2.815 milionë euro, përmes të cilit do të trajtohen 51 njësi/shtëpi: 32 njësi të reja të banimit social, 11 shtëpi për renovim dhe 8 shtëpi për rindërtim. Ky investim kombinon rritjen e stokut të banimit social me përmirësimin e drejtpërdrejtë të kushteve të banimit për familjet e cenueshme, përfshirë edhe familjet nga komunitetet jo-shumicë", ka shkruar ajo në Facebook.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, po ashtu ka njoftuar se edhe Komuna e Shtimes përfiton 255 mijë euro në projektin e Banimit Social Adekuat
"Me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për zbatimin e Projektit të Banimit Social Adekuat. Në kuadër të këtij projekti, për Komunën e Shtimes është paraparë një investim prej 255 mijë eurosh, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë. Po investojmë në projektin e Banimit Social Adekuat në mënyrë që të sigurojmë banim më të denjë dhe kushte më të mira jetese për qytetarët tanë", tha ajo.
























