Reagimet në Serbi: Ratko Mladiq mes heroit dhe kriminelit të luftës
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Lajmi për vdekjen e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ka rihapur në Serbi çështjen e raportit ndaj së kaluarës së luftës dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
Ndërsa një pjesë e politikanëve flasin për Mladiqin si një gjeneral që „mbrojti popullin serb“ dhe kërkojnë funeral shtetëror dhe shpalljen e ditës së zisë, partitë opozitare proevropiane dhe organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë se vdekja e tij nuk i ndryshon faktet e vërtetuara nga gjykatat dhe nuk duhet të shërbejë si shkas për glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Ratko Mladiq vdiq në moshën 84-vjeçare në spitalin e paraburgimit në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Reagimet nga Beogradi që në ditën e parë treguan ndarjet e thella që vazhdojnë të ekzistojnë në Serbi kur bëhet fjalë për trashëgiminë e tij, vendimet e Tribunalit të Hagës dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Krerët shtetërorë të Serbisë deri më tani nuk janë deklaruar zyrtarisht lidhur me vdekjen e Mladiqit. Ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, tha se Ministria është në kontakt me familjen lidhur me marrjen dhe transportimin e trupit në Serbi.
„Familja dhe ne tani po presim udhëzimet nga Mekanizmi“, tha Vujiq.
Është deklaruar edhe Ambasada e Rusisë në Serbi, e cila i shprehu ngushëllime familjes Mladiq. Aleksandar Vulin, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtor i BIA-s, ndërsa tani senator i Republikës Sërpska, vlerësoi se Serbia i detyrohet Ratko Mladiqit një funeral shtetëror dhe ushtarak, si dhe shpalljen e një dite zie.
Vuçiq një javë më parë kërkoi që Mladiq të lirohej dhe të kthehej në Serbi
Vetëm një javë para vdekjes së Mladiqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale që, për shkak të fazës terminale të sëmundjes, t'i mundësohej që ditët e fundit të jetës t'i kalonte në Serbi.
Vuçiq atëherë tha se këtë çështje e ndan nga aktgjykimi dhe përgjegjësia për krimet e luftës dhe se kërkesën e konsideron si çështje të „trajtimit human“ të një njeriu të sëmurë rëndë.
„Gjenerali Mladiq de facto është në prag të vdekjes“, tha Vuçiq, duke kritikuar vendimin për të mos i lejuar kthimin në Serbi.
Mekanizmi e refuzoi kërkesën. Kryetarja e tij, Graciela Gatti Santana, deklaroi se pritshmëria për një vdekje të afërt nuk përbën në vetvete bazë për lirim të parakohshëm dhe se Mladiq në spitalin e paraburgimit po merr kujdes mjekësor dhe paliativ.
Edhe djali i Mladiqit, Darko, ditëve të fundit kishte këmbëngulur se bëhej fjalë për një çështje humanitare. Dy ditë para vdekjes, ai deklaroi se babai i tij pothuajse nuk fliste më dhe se gjendja e tij shëndetësore ishte jashtëzakonisht e rëndë, duke pretenduar se nuk kishte pasur trajtim të njëjtë me të dënuarit e tjerë të Hagës.
Nga „lavdia e përjetshme“ te thirrjet kundër glorifikimit
Ndër zyrtarët e parë që reaguan ishte kryetari i Beogradit, Aleksandar Shapiq. „Pusho në paqe, gjeneral. Lavdi dhe falënderim i përjetshëm“, shkroi Shapiq në Facebook.
Mesazhe të ngjashme erdhën nga pjesa e opozitës me orientim nacional. Kryetari i DSS-së së Re, Millosh Jovanoviq, vlerësoi se Mladiq „udhëhoqi luftën për lirinë e popullit serb“ dhe porositi se ai nuk do të harrohet.
Ndryshe reaguan partitë opozitare proevropiane. Fronti i Gjelbër-Majtas (ZLF) deklaroi se me vdekjen e Ratko Mladiqit nuk përfundon çështja e përgjegjësisë për krimet e kryera dhe se mbetet detyrim që e vërteta për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të luftës të mos harrohet dhe as relativizohet.
ZLF u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të parandalojnë përpjekjet për glorifikimin në hapësirën publike të një krimineli lufte të dënuar me vendim të formës së prerë dhe shprehu solidaritet me familjet e viktimave.
Partia e Lirisë dhe Drejtësisë (SSP) vlerësoi se „askush që ka kryer krim nuk mund të jetë model për brezat e ardhshëm“. SSP rikujtoi edhe qëndrimet e ndryshme politike ndaj Mladiqit gjatë dekadave të kaluara, nga premtimet e disa politikanëve se do t'i ofronin strehim dhe propozimet që Bulevardi Zoran Gjingjiq të emërtohej sipas Mladiqit, deri te arrestimi dhe ekstradimi i tij në Tribunalin e Hagës në vitin 2011.
„Është koha që të gjithë popujt e këtyre hapësirave më në fund të ndalojnë së ikuri nga faktet, t'u bëjnë nderime viktimave dhe të thonë qartë se krimi nuk ka kombësi dhe se askush që ka kryer krim nuk mund të jetë model për brezat e ardhshëm“, porositi SSP.
Partia Demokratike (DS) deklaroi se „vdekja e një individi nuk i ndryshon faktet e vërtetuara para gjykatave ndërkombëtare dhe as nuk mund ta fshijë përgjegjësinë për krimet e kryera“.
DS rikujtoi se Mladiq është dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, duke theksuar se para së gjithash duhet menduar për viktimat dhe familjet e tyre.
Partia u bëri thirrje institucioneve dhe politikanëve që vdekjen e Mladiqit të mos e përdorin për relativizimin e fakteve të vërtetuara nga gjykatat, për përhapjen e nacionalizmit apo glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës.
Shoqëria civile: Vdekja nuk e fshin aktgjykimin
Instituti për Çështje Evropiane deklaroi se Ratko Mladiq vdiq si kriminel lufte i dënuar me vendim të formës së prerë dhe paralajmëroi se, më shumë se tri dekada pas krimeve të kryera, ai vazhdon të madhërohet në Serbi dhe në rajon, ndërsa faktet e vërtetuara nga gjykatat relativizohen ose mohohen.
„Vdekja e të dënuarit nuk e fshin aktgjykimin, nuk e zvogëlon përgjegjësinë dhe nuk mund ta shndërrojë krimin në heroizëm“, porositi Instituti, duke u bërë thirrje institucioneve, politikanëve, mediave dhe sistemit arsimor që t'i japin fund praktikës së glorifikimit.
Nga arratia te burgimi i përjetshëm
Ratko Mladiq ishte një nga të akuzuarit më të kërkuar nga Haga. Tribunali i Hagës ngriti aktakuzë kundër tij në vitin 1995, ndërsa urdhërarresti ndërkombëtar u lëshua një vit më vonë.
Pas pothuajse 16 vjetësh në arrati, ai u arrestua më 26 maj 2011 në Lazarevë, afër Zrenjaninit, dhe disa ditë më vonë u ekstradua në Hagë.
Në shkallë të parë, në vitin 2017, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa aktgjykimi i formës së prerë u konfirmua në vitin 2021. Ai u shpall fajtor për dhjetë nga 11 pikat e aktakuzës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen, shfarosjen, vrasjet, deportimet, zhvendosjen me forcë, terrorizimin dhe sulmet e paligjshme ndaj civilëve, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të OKB-së.
Funerali, me shumë gjasë në Beograd?
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat e Beogradit, dëshira e Mladiqit ishte që të varrosej në Beograd, pranë vajzës së tij Ana.
Avokati i tij, Branko Lukiq, deklaroi se Mladiq gjatë viteve kishte thënë disa herë se dëshironte të prehej pranë saj në varrezat e Topçiderit. Vendimin përfundimtar pritet ta marrë familja, ndërsa procedura për marrjen dhe transportimin e trupit nga Holanda mund të zgjasë disa ditë.
Çështja e funeralit mund të hapë edhe më tej debatin mbi qëndrimin ndaj Mladiqit në Serbi, veçanërisht pas kërkesës së Vulinit që ai të ketë funeral shtetëror dhe ushtarak dhe që të shpallet ditë zie.
Dallimet janë të dukshme edhe në mënyrën se si mediat raportojnë për vdekjen e Mladiqit. Një pjesë e mediave proqeveritare e paraqesin atë si gjeneral dhe hero, me mesazhe falënderimi, duke vënë në plan të parë gjendjen e tij shëndetësore dhe pretendimet për trajtim të padrejtë nga Tribunali i Hagës. Në anën tjetër, mediat e pavarura kryesisht theksojnë faktin se Mladiq vdiq si i dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Serbia e dënon krimin në Srebrenicë, por pushteti shmang termin gjenocid
Vdekja e Mladiqit ka aktualizuar sërish çështjen e qëndrimit zyrtar të Serbisë ndaj gjenocidit në Srebrenicë.
Kuvendi i Serbisë në vitin 2010 miratoi një Deklaratë me të cilën dënoi krimin e kryer ndaj popullsisë boshnjake të Srebrenicës „në mënyrën e përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë“. Megjithatë, fjala „gjenocid“ nuk është përdorur në mënyrë eksplicite në tekstin e Deklaratës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 konstatoi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid. Gjykata arriti në përfundimin se Serbia nuk e kishte kryer gjenocidin dhe as nuk kishte qenë bashkëpunëtore në kryerjen e tij, por se kishte shkelur Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, pasi nuk e kishte parandaluar atë dhe nuk i kishte përmbushur plotësisht detyrimet lidhur me ndëshkimin e përgjegjësve.
Pushteti aktual në Beograd kryesisht e përshkruan Srebrenicën si „krim të tmerrshëm“, por shmang që vetë ta cilësojë atë si gjenocid.
Serbia në vitin 2024 loboi fuqishëm kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën 11 korriku u shpall Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, me arsyetimin e autoriteteve në Beograd se rezoluta ishte e politizuar, se i impononte faj kolektiv popullit serb dhe se mund t'i thellonte ndarjet në rajon.
Reagimet ndaj vdekjes së Mladiqit tregojnë edhe një herë hendekun shumëvjeçar në Serbi ndërmjet ekzistencës së aktgjykimeve të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare dhe raportit politik e shoqëror ndaj fakteve të përcaktuara me këto vendime.
Ndërsa një pjesë e skenës politike, shoqërisë civile dhe opinionit publik këmbëngul në pranimin e fakteve të vërtetuara nga gjykatat dhe në përkujtimin e viktimave, një pjesë e politikanëve dhe mediave vazhdon ta paraqesë Ratko Mladiqin para së gjithash si gjeneral serb dhe komandant lufte, pavarësisht dënimit të formës së prerë për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.























