Bashkëpunimi rajonal, në fokus bashkëprodhimet filmike
Sh.G|RTKlive
Bashkëpunimi rajonal dhe roli i filmit në forcimin e lidhjeve mes vendeve kanë qenë në fokus të një takimi të zhvilluar në Ohër, ku janë mbledhur drejtues të institucioneve kombëtare të filmit nga rajoni.
Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëprodhimeve kinematografike, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për kineastët e vendeve të rajonit.
Në kuadër të takimit, drejtuesit e institucioneve kombëtare të filmit janë pritur edhe nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Në takim është diskutuar për rolin e kulturës dhe filmit në afrimin e shoqërive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, e cila ka përfaqësuar Kosovën në diskutimet për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e industrisë së filmit.
Takimi në Ohër synon të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të filmit dhe në krijimin e mundësive të përbashkëta për zhvillimin e kinematografisë në rajon.























