Chelsea fiton spektaklin me shtatë gola ndaj Brighton
Uran Krasniqi/RTKLive
Chelsea ka shënuar fitore të madhe 4:3 ndaj Brighton në një ndeshje spektakolare të Premier League, e zhvilluar në "Stamford Bridge".
Ka qenë kjo ndeshja e parë e trajnerit Xabi Alonso para tifozëve vendas në Premier League dhe skuadra e tij ka arritur t'i marrë tri pikë pas një përballje të mbushur me gola dhe emocione.
Chelsea e ka nisur ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt. Pas një ngatërrese në mbrojtjen e Brighton, Romeo Lavia ka përfituar dhe e ka dërguar topin në rrjetë për 1:0.
Dhjetë minuta më vonë, londinezët e kanë dyfishuar epërsinë. Pedro Neto ka depërtuar në zonë dhe ka shënuar për 2:0, duke i dhënë Chelsea një fillim ideal të takimit.
Brighton ka vazhduar me probleme në mbrojtje, ndërsa Chelsea e ka shënuar edhe golin e tretë në minutën e tridhjetë e dytë. Jorrel Hato ka marrë pjesë në aksionin sulmues dhe ka asistuar për Joao Pedro, i cili ka realizuar golin e tij të dytë të sezonit.
Megjithatë, mysafirët nuk janë dorëzuar. Malick Yalcouye ka shënuar me një goditje të fortë dhe e ka rikthyer Brighton në lojë, duke ngushtuar rezultatin në 3:1.
Në pjesën e dytë, Brighton e ka shtuar presionin. Pas një goditje nga këndi, topi është devijuar pa dashje në portë nga Pedro, duke e çuar rezultatin në 3:2.
Chelsea ka reaguar pas ndryshimeve të bëra nga Xabi Alonso. Cole Palmer ka realizuar një gol të bukur për ta rikthyer epërsinë prej dy golash dhe për ta çuar rezultatin në 4:2.
Brighton ka shënuar edhe një herë në kohën shtesë përmes Pascal Groß, por goli i tij për 4:3 ka ardhur tepër vonë për të ndryshuar fatin e ndeshjes.























