Dënohen me burgim dy të akuzuarit për rastin e barrikadave në veri
Edona Podvorica /RTK
(E plotësuar, ora 11:42) Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin ndaj dy të akuzuarve për barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.
Millosh Radosavleviq është dënuar me 9 muaj burgim, ndërsa Dushan Dobrac është dënuar me 12 muaj burgim.
Dy nga të akuzuarit serbë për barrikadat në veri pranojnë fajësinë
(E plotësuar) Në orën 11:30 pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Millosh Radosavleviqit dhe Dushan Drobacit, dy të akuzuarve në rastin e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022.
Gjykata paraprakisht miratoj marrëveshjet për pranimin e fajësisë, të lidhura ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe dy të akuzuarve. Gjyqtari Rrahman Beqiri tha se pranimi i fajësisë është bërë me vullnet të plotë dhe pa asnjë detyrim, ndërsa mbështetet në faktet dhe provat e përfshira në shkresat e lëndës.
Pas miratimit të marrëveshjeve, mbrojtja kërkoi që dënimet e propozuara me burgim të zëvendësohen me gjobë, me mundësi pagese me këste. Avokati i Millosh Radosavleviqit, Boban Petkoviq, tha se klienti i tij ka shprehur keqardhje për veprimet dhe ka treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur thirrjeve të gjykatës.
Si rrethana lehtësuese, mbrojtja përmendi gjendjen e vështirë ekonomike të Radosavleviqit, papunësinë dhe faktin se është baba i tre fëmijëve të mitur.
Edhe për Dushan Drobacin, mbrojtja kërkoi që dënimi me burgim të zëvendësohet me gjobë dhe që pagesa të bëhet me këste. Pas përfundimit të seancës, gjyqtari Rrahman Beqiri njoftoi se aktgjykimi për dy të akuzuarit do të shpallet në orën 11:30.
(E plotësuar) Procesi gjyqësor për barrikadat e dhjetorit të vitit 2022 nuk ka mundur të vazhdojë as sot për të gjithë të akuzuarit. Në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë ishin Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq, Nemanja Jolloviq, Dushan Drobaç dhe Sërgjan Vuçiniq. Mungonte Nenad Orlloviq, për të cilin gjykata kishte përsëritur urdhërarrestin.
Sipas gjyqtarit Rrahman Beqiri, organet e rendit e kishin zbatuar kërkesën e gjykatës, por Orlloviqi nuk ishte gjetur në adresën e tij të banimit.
Bazuar në informacionet e marra nga fqinjët, ai nuk jeton më në atë adresë dhe dyshohet se ndodhet në Serbi. Në seancë ishte e pranishme avokatja e tij, Donjeta Leka.
Përveç mungesës së Orlloviqit, problem për zhvillimin e seancës ishte edhe mungesa e avokatëve të dy të akuzuarve.
Gjykata vendosi të bëjë një pauzë prej pesë minutëshe, në mënyrë që të akuzuarit të komunikojnë me mbrojtësit e tyre.
Ndërkohë, gjyqtari Beqiri bëri të ditur se avokati Bogdan Llaçiq kishte dërguar një email, por ai kishte arritur në një formë të parregullt dhe gjykata nuk kishte arritur ta shqyrtonte me kohë.
Megjithatë, në dosjen e rastit ndodheshin dy marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Ato janë lidhur me Millosh Radosaleviqin dhe Dushan Drobaçin.
Për këtë arsye, gjykata kërkoi që palët të deklaroheshin nëse pajtoheshin që procedura ndaj këtyre dy të akuzuarve të veçohej nga pjesa tjetër e procesit.
Pas dëgjimit të palëve, gjykata mori vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Millosh Radosavleviqit dhe Dushan Drobaçit, për veprat penale për të cilat akuzohen.
Pjesa e procedurës ndaj tyre do të trajtohet veçmas, mbi bazën e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë.
Ndërkohë, procedura ndaj të akuzuarve të tjerë vazhdon në kuadër të lëndës aktuale.
Prokuroria Speciale i ngarkon të akuzuarit me veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, me qëllim të sulmit ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Seanca e radhës për të akuzuarit e tjerë është caktuar për 17 shtator 2026, në orën 09:00.
Ndërkaq, për Nenad Orlloviqin, gjykata pritet të nxjerrë vendim të veçantë për veçimin e procedurës, për shkak të mungesës së tij.
Nis gjykimi për rastin e barrikadave në veri
Më shumë se tre vjet pas tensioneve që përfshinë veriun e Kosovës, rasti penal për barrikadat e dhjetorit të vitit 2022 është rikthyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.
Në Pallatin e Drejtësisë ka nisur seanca ndaj gjashtë personave, të cilët Prokuroria Speciale i lidh me organizimin dhe vendosjen e barrikadave në rrugët kryesore të komunave veriore.
Në mesin e të akuzuarve janë Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq, Nemanja Jolloviq, Dushan Drobaç, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orlloviq.
Të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq, Nemanja Jolloviq, Dushan Drobaç dhe Sërgjan Vuçiniq janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa Nenad Orlloviq mungon.
Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin ndaj tij. Organet e rendit e kanë zbatuar urdhrin e gjykatës, por Orlloviq nuk është gjetur në vendbanimin e tij. Sipas fqinjëve, ai nuk jeton më aty dhe dyshohet se ndodhet në Serbi.
E pranishme në seancë është avokatja e tij, Donjeta Leka, ka bërë të ditur gjyqtari Rrahman Beqiri.
Procesi gjyqësor nuk kishte mundur të niste sipas planit në seancën e kaluar, për shkak të problemeve me praninë e disa prej të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Njëri prej të akuzuarve, Dushan Maksimoviq, nuk ishte sjellë nga paraburgimi, ndërsa avokati i tij, Mahmut Halimi, kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të merrte pjesë për shkak të një angazhimi tjetër profesional në Mitrovicë.
Probleme me praninë në seancë kishte edhe në rastin e Nemanja Jolloviqit. Gjykata kishte bërë të ditur se atij nuk i ishte dorëzuar ftesa për seancë.
Policia e Kosovës kishte raportuar se, bazuar në informacionet e mbledhura në terren, Jolloviqi ishte larguar nga Kosova dhe ishte vendosur në Serbi. As urdhri për sjelljen e tij me detyrim nuk kishte dhënë rezultat, pasi policia nuk e kishte gjetur në adresën e regjistruar.
Për këtë arsye, prokurori Admir Shala kishte kërkuar që procedura ndaj Jolloviqit të ndahej nga rasti i pesë të akuzuarve të tjerë.
Në qendër të aktakuzës janë ngjarjet e dhjetorit të vitit 2022, kur veriu i Kosovës u përball me një nga periudhat më të tensionuara të viteve të fundit.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit, në bashkëkryerje, kanë përdorur forcë dhe mjete të ndryshme për të bllokuar rrugët dhe për të penguar punën e institucioneve të Kosovës.
Në aktakuzë përmenden kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autobusë, autoambulanca dhe automjete të tjera, të cilat dyshohet se janë përdorur për vendosjen e barrikadave.
Barrikadat u vendosën në dhjetor të vitit 2022, në kohën kur serbët lokalë kundërshtonin zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe dokumentet e hyrje-daljes.
Situata ishte përshkallëzuar edhe pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq. Në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të tij dhe kërkesës për lirimin e tij, rrugët që çonin drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u bllokuan me barrikada.
Barrikadat qëndruan për disa javë dhe shkaktuan tensione të larta në veri të Kosovës, duke vështirësuar lëvizjen dhe qarkullimin drejt pikave kufitare.























