ZKA: Mbështetja për nxënësit me nevoja të veçanta mbetet e pamjaftueshme
V.Th / RTKLive
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se sistemi arsimor në Kosovë ende nuk siguron mbështetje të barabartë dhe të qëndrueshme për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.
Në raportin e auditimit për periudhën 2022–2025, ZKA ka evidentuar se ekipet vlerësuese komunale nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa kapacitetet profesionale në shkolla, përfshirë asistentët, mësuesit mbështetës, psikologët dhe pedagogët, nuk janë të mjaftueshme.
Auditimi ka evidentuar edhe mospërputhje mes të dhënave për nxënësit me nevoja të veçanta në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim dhe gjendjes në terren. Në disa raste, mungesa e mbështetjes institucionale është kompensuar nga prindërit përmes angazhimit të asistentëve privatë.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm përfshirjen e nxënësve në shkollë.
“Arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm përfshirjen e nxënësve në shkollë, por sigurimin e mbështetjes së duhur që u mundëson atyre të zhvillojnë potencialin dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në procesin mësimor”, theksoi Spanca.
Sipas saj, nevojitet një qasje më e koordinuar dhe e bazuar në nevojat reale të nxënësve, në mënyrë që mbështetja të jetë e qasshme dhe në kohë.
ZKA ka dhënë 14 rekomandime për përmirësimin e funksionimit të ekipeve vlerësuese, planifikimit të kapaciteteve mbështetëse, cilësisë së të dhënave dhe monitorimit institucional.























