Asociacioni i Komunave proteston para Qeverisë
BKT
Foto:Kaltrina Rexhepi
Lajme

Asociacioni i Komunave proteston para Qeverisë

B.H./RTKlive

Asociacioni i Komunave të Kosovës po proteston sot para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave të komunave.

Përmes protestës, Asociacioni po kërkon kompensimin e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimin e normës prej 0.5 për qind për përvojën e punës nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, financim të drejtë për komunat, si dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.

Protestës i janë bashkuar edhe deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Në protestë, ndërkaq, nuk po marrin pjesë kryetarët e komunave që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje.

"Protesta e sotme e disa kryetarëve të komunave nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit. Jam kundër protestës së nxitur me agjendë politike. Komunikimi ndërinstitucional duhet të zgjidhet përmes dialogut. Kjo nismë që synon të krijohet si praktikë, ku disa kryetarë komunash paralajmëruan të marrin pjesë në një protestë kundër Qeverisë, ka agjendë tërësisht politike dhe nuk e avancon ngritjen e shërbimit ndaj qytetarit. Qindra milionat euro e barrës financiare të komunave nuk janë obligime të Qeverisë së Albin Kurtit, por janë obligime të qeverisë PAN", ka shkruar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.


MË SHUME NGA Lajme