Rukiqi: Kryesia e LDK-së mbështet unanimisht Bekim Sejdiun për president
BKT
Lajme

Rukiqi: Kryesia e LDK-së mbështet unanimisht Bekim Sejdiun për president

Arbresha Berisha /RTK & RTKlive

(E plotësuar) Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i ka dhënë mbështetje unanime kandidatit të propozuar për president, Bekim Sejdiut.

Kështu bëri të ditur, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Berat Rukiqi, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së. Ai tha se nuk ka pasur asnjë qëndrim kundër kandidaturës së Sejdiut brenda Kryesisë.

Sipas tij, LDK-ja duhet të ketë qëndrim të unifikuar rreth çështjes së presidentit.

Ndërkaq, ende nuk dihet nëse do të ketë unifikim të qëndrimeve edhe brenda grupit parlamentar të LDK-së, pasi një ditë më parë, deputeti Avdullah Hoti bëri të ditur se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun.

Ndryshe, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) njofton se ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja bëri të ditur se Kryesia, në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe përgjegjësitë statutare, ka mbështetur marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kryesia ka miratuar edhe nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Takimi i Kryesisë me grupin parlamentar të LDK-së pritet të nisë në orën 16:00.

Kica-Xhelili për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president: Në parim do ta votoj

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se në parim do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të vendit.

Ajo tha se njohja e saj profesionale me Sejdiun mund ta bëjë subjektive në vlerësimin e kandidaturës, por theksoi se dëshiron të japë kontributin e saj duke u bazuar në aspektin profesional.

“Zoti Sejdiu, sa i përket meje, në kuptimin profesional i përmbush të gjitha kushtet që të mbështetet”, tha Kica-Xhelili.

Deputetja e LDK-së theksoi se mbetet për t’u parë nëse do të arrihet konsensus mes grupeve parlamentare për kandidaturën e Sejdiut.

“Vota ime në parim do të jetë për, në qoftë se dakordohen edhe grupet parlamentare”, deklaroi ajo.

Kica-Xhelili shtoi se, si juriste, e ka të vështirë të gjejë arsye për të mos e mbështetur kandidaturën e Sejdiut.

“Me të thënë të drejtën, në kuptimin profesional si juriste e kam shumë të vështirë të gjej arsye të mos e votoj”, u shpreh ajo.

Osmani: Interesi i Kosovës mbi atë partiak

Ish-presidentja e Kosovës dhe tani deputetja, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë kompromis duke vendosur interesin e Kosovës mbi çdo interes individual apo partiak.

Ajo ka thënë se tash përgjegjësia u takon të gjithë deputetëve për t’i dhënë vendit institucione stabile.

Osmani ka vlerësuar kandidaturën e profesor Bekim Sejdiut për president, duke thënë se ai do të jetë në gjendje të mbrojë Kushtetutën, parimet e demokracisë dhe të vazhdojë forcimin e aleancave të Kosovës, përfshirë atë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jam e bindur që Profesor Bekim Sejdiu është një kandidat që e bën pikërisht këtë dhe i vë interesat e Kosovës mbi gjithçka tjetër”, ka deklaruar Osmani.

Mbështetje për kandidaturën e Sejdiut ka shprehur edhe deputeti i LDK-së Anton Quni. Ai ka thënë se e njeh familjen Sejdiu që nga viti 1998 dhe ka veçuar kontributin e saj gjatë periudhave të vështira për Kosovën.

LDK mban mbledhjen, Lushaku: E mbështesim Bekim Sejdiun për president

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban mbledhjen e Kryesisë, ku pritet të diskutohet rreth marrëveshjes së arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidatin për president të Kosovës.

Para takimit, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, tha se e mbështet Bekim Sejdiun si kandidat për president.

“Ne kemi autorizuar kryetarin edhe ekipin për të negociuar dhe ata kanë pasur autorizime të plota për të bërë propozime dhe për t’i diskutuar emrat”, ka deklaruar ajo.

Lushaku tha se paraprakisht nuk e kanë ditur se kush do të propozohej si kandidat për president.


MË SHUME NGA Lajme