Gabriel Jesus transferohet te Barcelona
Uran Krasniqi / RTKLive
Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit brazilian Gabriel Jesus, i cili ka nënshkruar kontratë trivjeçare me klubin katalanas.
Njëzet e nëntë vjeçari do të jetë një nga alternativat kryesore në repartin ofensiv të skuadrës së Hansi Flick, pasi Barcelona nuk ka arritur ta realizojë transferimin e sulmuesit argjentinas të Atletico Madrid, Julian Alvarez.
Alvarez ishte objektivi kryesor i Barcelonës për repartin ofensiv dhe vetë lojtari kishte shprehur dëshirën për të veshur fanellën blaugrana. Megjithatë, Atletico Madrid e mbajti një qëndrim të prerë për të mos e shitur sulmuesin te rivalët katalanas.
Pas dështimit të kësaj marrëveshjeje, presidenti Joan Laporta, drejtori sportiv Deco dhe trajneri Hansi Flick u detyruan të kërkojnë alternativa të tjera në treg, sidomos pas largimit të Robert Lewandowski.
Zgjedhja përfundimtare ra mbi Gabriel Jesus, i cili largohet nga Arsenal pas disa sezoneve në Premier League.
Sulmuesi brazilian kishte kontratë me klubin londinez deri në vitin 2027. Gjatë kohës së tij te Arsenali, ai zhvilloi 123 ndeshje, shënoi tridhjetë e dy gola dhe regjistroi njëzet e dy asistime.
Megjithatë, vitet e fundit Gabriel Jesus është përballur me disa probleme fizike, përfshirë edhe një lëndim të rëndë në gju gjatë vitit 2025. Për këtë arsye, ai nuk ka arritur ta sigurojë një vend të përhershëm në formacionin bazë të Mikel Arteta.
Sezonin e kaluar, braziliani shënoi vetëm tre gola në katërmbëdhjetë paraqitje në Premier League, ndërsa një sezon më parë kishte realizuar po aq gola në shtatëmbëdhjetë ndeshje.
Sipas marrëveshjes së arritur, Barcelona do t'i paguajë Arsenal dhjetë milionë euro si shumë fikse, ndërsa marrëveshja mund të arrijë edhe katër milionë euro të tjera përmes bonuseve të lidhura me paraqitjet dhe sukseset e lojtarit.
Gabriel Jesus ka kaluar tashmë kontrollet mjekësore dhe pritet t'i bashkohet menjëherë skuadrës së Hansi Flick.























