Dibrani merr pjesë në konferencën rajonale për krimin në burgje
V.Th / RTKLive
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale “Krimi i Organizuar në Burgje”, që po mbahet më 2 dhe 3 shtator në Shkup.
Në konferencë është diskutuar për sfidat që paraqet krimi i organizuar në institucionet korrektuese, mënyrat e parandalimit dhe adresimit të veprimtarive kriminale, forcimin e integritetit institucional, si dhe rëndësinë e inteligjencës dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve homologe.
Konferenca me temën “Forcimi i integritetit, inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore” është organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut.
Në të po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve korrektuese, institucioneve të sigurisë, policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe përfaqësues të strukturave përgjegjëse për luftimin e krimit nga vendet e Evropës Juglindore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar “forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal”, si dhe zhvillimit të mekanizmave të përbashkët për parandalimin dhe adresimin e rreziqeve të sigurisë që lidhen me krimin e organizuar në burgje.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, pjesëmarrja e Dibranit përbën mundësi për “të ndarë përvojat dhe praktikat e tij me institucionet homologe të rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë”, si dhe për t’u njohur me qasjet dhe praktikat e vendeve të tjera evropiane.
Konferenca shërben gjithashtu si platformë për “forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve korrektuese të rajonit dhe Evropës, krijimin e kontakteve të reja profesionale dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm”.























