Daku asiston, Spartaku merr kreun, edhe Hoxha shënon në Kupën e Rusisë
Sh.Ç/RTKlive
Mirlind Daku po vazhdon të jetë protagonist me Spartakun e Moskës. Pas golit të shënuar në kampionat, sulmuesi shqiptar kontribuoi me asist edhe në Kupën e Rusisë, duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë një tjetër fitore.
Mirlind Daku po kalon një periudhë pozitive në futbollin rus. Pas golit të realizuar në kampionat në ndeshjen e fundit, sulmuesi shqiptar la gjurmë edhe në Kupën e Rusisë.
Spartaku i Moskës triumfoi 3:1 ndaj Rodina Moskës në ndeshjen e tretë të fazës grupore, ndërsa Daku ishte protagonist në aksionin e golit të barazimit.
Sulmuesi kontribuoi me asist në minutën e 35-të, duke ndihmuar ekipin e tij të rikthehej në lojë. Daku e mbylli paraqitjen pas pjesës së parë, pasi u zëvendësua në pushim.
Fitorja e mban Spartakun në krye të Grupit A me shtatë pikë, tri më shumë se Rubin Kazani dhe Orenburgu.
Në sfidën tjetër të grupit, Rubin Kazani siguroi fitoren pas penalltive, duke mposhtur 4:2 Orenburgun në transfertë. Në serinë e penalltive, Veldin Hoxha realizoi goditjen e tretë për Rubin Kazanin.
Ndërkohë, Nazmi Gripshi u aktivizua nga fillimi, por u zëvendësua në minutën e 59-të.
Me rezultatet e kësaj xhiroje, gara në Grupin A mbetet e hapur, ndërsa futbollistët shqiptarë vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e skuadrave të tyre në Kupën e Rusisë.























