“Rebelim dhe kujtesë”, nëntë gra dhe nëntë histori që sfiduan kohën
BKT
Kulturë

“Rebelim dhe kujtesë”, nëntë gra dhe nëntë histori që sfiduan kohën

Arieta Seferaj|RTK

Nëntë gra, nëntë fate dhe nëntë rrëfime për rebelimin, qëndresën dhe kujtesën bëhen bashkë në librin “Rebelim dhe kujtesë” të autores Ardianë Pajaziti, i cili promovohet sot në KultPlus Caffe Gallery.

Përmes historive personale dhe emocionale, autorja sjell në qendër gra që në periudha dhe rrethana të ndryshme kanë sfiduar mentalitetet e kohës, kanë kundërshtuar sisteme e regjime dhe janë përballur me luftën, humbjen dhe paragjykimet, duke dëshmuar forcë, mbijetesë, dashuri dhe përkushtim.

Në faqet e librit vijnë rrëfimet e Ferdeze Mujaj Sadikut, Edita Tahirit, Edi Shukriut, Saranda Bogujevcit, Valbona Pula Petrovci, Ornela Vorpsit, Shukrije Ramadanit, Branka Petriçit dhe Luljeta Pulës.

Të ndryshme për nga përvojat dhe rrugëtimet jetësore, historitë e tyre bashkohen në një pikë: në guximin për të mos iu nënshtruar rrethanave dhe në përpjekjen për të krijuar hapësirë për zërin, zgjedhjen dhe lirinë e tyre.

“Ky libër, duke prezantuar nëntë histori grash nga perspektiva e tyre dhe me zërin e tyre, frymëzon dhe inkurajon brezat”, thuhet në përshkrimin e veprës.

Promovimi i librit zhvillohet në formën e një bashkëbisedimi mes shkrimtarit Ag Apolloni, Arbër Selmanit dhe autores Ardianë Pajaziti. Në kuadër të aktivitetit do të lexohen edhe pjesë të përzgjedhura nga libri, duke i sjellë publikut drejtpërdrejt disa nga zërat dhe përvojat që ndërtojnë veprën.

“Rebelim dhe kujtesë” nuk synon vetëm të dokumentojë histori individuale. Përmes kujtesës së këtyre grave, libri prek edhe periudha, rrethana shoqërore e politike dhe përvoja kolektive, duke e shndërruar rrëfimin personal në dëshmi të një kohe.

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books” dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa ballina është realizuar me një vepër të skulptorit të njohur Luan Mulliqi.

Promovimi në KultPlus Caffe Gallery krijon kështu një hapësirë takimi mes autores, protagonistëve të librit dhe lexuesit, duke rikthyer në vëmendje histori grash që, secila në mënyrën e vet, kanë zgjedhur të mos heshtin.

Sepse “Rebelim dhe kujtesë” është, mbi të gjitha, një dëshmi se kujtesa nuk është vetëm kthim drejt së kaluarës, por edhe një mënyrë për t’ua përcjellë brezave historitë e atyre që patën guximin ta sfidojnë kohën.


MË SHUME NGA Kulturë