Historianët e Deçanit mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president
B.H./RTKlive
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka shprehur mbështetjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Në një komunikatë të kësaj organizate, thuhet se mbështetja bazohet në përvojën e Sejdiut në fushën juridike, diplomatike dhe akademike, si dhe në qëndrimet e tij për, siç thuhet, mbrojtjen e Kushtetutës, rendit juridik, sovranitetit dhe interesit shtetëror të Kosovës.
Historianët e Deçanit kanë veçuar qëndrimin e Sejdiut në vitin 2016, kur ai ishte gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me çështjen e pronave të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, të cilat lidhen me kontestin pronësor me Manastirin e Deçanit.
“Për ne, mbrojtja e rendit juridik të Republikës së Kosovës nënkupton edhe mbrojtjen e të drejtave pronësore të qytetarëve dhe institucioneve publike të Kosovës dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje që, sipas vlerësimit tonë, synon të rikthejë pasoja juridike të politikave të regjimit të Millosheviqit”, thuhet në deklaratë.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” ka vlerësuar edhe përvojën diplomatike të Sejdiut në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe kontributin e tij shumëvjeçar akademik si profesor në Universitetin e Prishtinës.
Sipas tyre, përvoja si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, diplomat dhe profesor universitar përbën një kombinim të rëndësishëm të përvojës juridike, institucionale, diplomatike dhe akademike për ushtrimin e detyrës së presidentit.
Në deklaratë është vlerësuar edhe kontributi i familjes Sejdiu në rrugën historike të Kosovës për liri, çlirim dhe pavarësi.
“Prandaj, duke marrë parasysh përvojën e tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, përvojën diplomatike në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributin shumëvjeçar si profesor në Universitetin e Prishtinës, qëndrimet e tij në mbrojtje të rendit kushtetues dhe juridiksionit të Republikës së Kosovës, si dhe kontributin e familjes së tij në rrugën e lirisë, Lidhja e Historianëve të Kosovës ‘Ali Hadri’ dega në Deçan, shpreh mbështetjen e saj për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Sipas kësaj organizate, Sejdiu mund të kontribuojë në forcimin e shtetit të së drejtës, Kushtetutës, sovranitetit, integritetit territorial dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.























