PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë zhbllokimin e institucioneve
Sh.Ç/RTKlive
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës, së bashku me përfaqësues komunalë e aktivistë, kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kundërshtuar bllokadën institucionale dhe duke kërkuar konstituimin e Kuvendit.
Përmes këtij aksioni, deputetët dhe aktivistët e këtyre subjekteve politike po kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa konkretë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja me mandat të plotë.
Sipas tyre, Kosova nuk mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë me institucione në detyrë, ndërsa proceset kushtetuese mbeten të bllokuara.
Asamblisti Dardan Berisha deklaroi se prania e tyre para objektit të Qeverisë është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj centralizimit të pushtetit dhe mosshpërndarjes së buxhetit nëpër komuna.
“Për fat të keq, kemi një vazhdim të bllokadës, vazhdim të problemeve të shkaktuara vetëm prej tyre dhe, me këtë rast, të shprehim edhe si parti politike, si Partia Demokratike e Kosovës, edhe njëherë pakënaqësinë dhe revoltën tonë në lidhje me zhvillimet e fundit”, tha Prelvukaj.
Drejtori i Turizmit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, theksoi se bllokimi i institucioneve qendrore po dëmton rëndë funksionimin e komunave dhe imazhin e vendit karshi partnerëve ndërkombëtarë.
“Edhe ne sot kemi ardhur nga Prizreni si grup parlamentar, në këtë rast i Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me asamblistët dhe drejtorët, duke iu bashkëngjitur në këtë rast grupit parlamentar të PDK-së dhe Aleancës, për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me bllokadat të cilat u janë bërë institucioneve të Kosovës, sepse kjo është dashur të reflektojë, për arsye se duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës, ngaqë qytetarët kanë votuar për t’i zgjedhur institucionet tona.
Konkretisht, një bllokadë e tillë nga partia fituese e pushtetit, në këtë rast nga zoti Kurti, është e parëndësishme dhe e panevojshme, sepse po i bën dëm Kosovës, po i bën dëm qytetarëve. Dhe gjithsesi, ne kemi protestë dhe thirrje që duhet të krijohen institucionet dhe duhet të çbllokohet shteti i Kosovës, në këtë rast që e ka bllokuar zoti Kurti.
Kur e dimë që para disa ditësh kemi bërë vetëm një protestë nga të gjitha komunat e Kosovës, sepse nuk ka bllokuar vetëm qeverinë, në këtë rast institucionet, por ka bllokuar të gjitha institucionet lokale, duke përfshirë edhe komunat, me bllokadën e buxhetit. Kjo është një gjë e parëndësishme dhe është një pikë apo njollë e zezë karshi edhe faktorit ndërkombëtar, me të cilin ne kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të madh për t’i krijuar këto institucione.
Andaj, protesta dhe thirrja jonë është që Kosova duhet të dalë nga kjo situatë, ngaqë jemi në një pikë ku ia kemi prerë pikën zyrtare dhe kjo më së shumti i bën dëm vendit, shtetit tonë. Andaj, duhet të reflektojë zoti Kurti, duhet të reflektojë partia fituese, Vetëvendosja, e cila duhet të kthehet në Kuvend e jo të vazhdojë në këtë ritëm, sepse kjo është çështja më e ulët ndonjëherë që i ka ndodhur institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, foli për importet nga Serbia dhe presionin ndaj opozitës.
“Ky Albini shpenzon për rrymë 1 miliard, e paguan Vuk Hamoviçin, domethënë 1 miliard shpenzojmë para për të blerë energji prej Serbisë. Ndërsa pensionistët e shkretë, kur vjen vakti i votave, ua jep 100 euro edhe kategorive të tjera. Ata menjëherë duhet të shkojnë ta paguajnë rrymën, por edhe me ato duhet t’i shtojnë të tjerat, se ato s’kanë për t’u dalë për ta paguar rrymën, sepse e ka shtrenjtuar tri herë, katër herë, pesë herë, sepse e kanë bërë një mafi energjetike në krye, edhe me Martin Berishajn, të cilin ende e mbajnë ambasador. Të gjithë njerëzit që kanë vjedhur, të gjithë njerëzit që e kanë atakuar shtetësinë e Kosovës, tani i shpërblejnë. I shpërblejnë edhe me shtetësi e më pas u japin detyra të larta zyrtare. Kjo është qeverisja e Albin Kurtit dhe, meqenëse është shkelës recidivist, kronik i Kushtetutës, e dini që këto sëmundje kronike i tepin rrugë, edhe kjo ka për të marrë rrugë”, tha ajo.
Në anën tjetër, Kurti ka deklaruar se seanca për konstituimin e Kuvendit pritet të mbahet pas arritjes së një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit. Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së u bë e ditur të premten, me mbështetjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.
Megjithatë, marrëveshja është përballur me kundërshtime brenda Grupit Parlamentar të LDK-së. Gjashtë deputetë kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin atë.
Bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Kujtim Shalën, Armend Zemajn, Arben Gashin dhe Janina Ymerin.
Qëndrimi i tyre u bë publik pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku u diskutua marrëveshja e arritur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me Kurtin.
Abdixhiku ka deklaruar se kundërshtimi i gjashtë deputetëve e vështirëson sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe, sipas tij, rrit rrezikun që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.























