Haxhiu dhe Schuebel diskutojnë për perspektivën evropiane të Kosovës
E.Hoti/RTKlive
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Dirk Schuebel, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe njëherësh Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Haxhiu i uroi Schuebel mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në mandatin e tij të ri.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e reformave dhe bashkëpunimin e mëtejmë me Bashkimin Evropian.
“Orientimi euroatlantik i Republikës së Kosovës është i palëkundur. Vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, reformave dhe avancimit të procesit të integrimit evropian”, theksoi Haxhiu.
Ajo nënvizoi se Kosova e vlerëson lart partneritetin me Bashkimin Evropian dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit gjatë mandatit të Schuebel.























