Jashari: Drejtësia ka filluar të lëvizë, edhe pse 28 vjet pas sulmit /Video
BKT
Lajme

Jashari: Drejtësia ka filluar të lëvizë, edhe pse 28 vjet pas sulmit /Video

V.Th / RTKLive & Valjete Shala - RTK

Prekazi mbetet një nga vendet më të rëndësishme të historisë së luftës në Kosovë. Pikërisht, në mars të vitit 1998, u zhvilluan ngjarjet që do të shënonin një nga momentet më të dhimbshme dhe më përcaktuese të historisë së re të Kosovës.

Sot, 28 vjet më vonë, emri i Jasharëve rikthehet në vëmendje pas ngritjes së aktakuzës ndaj 45 të dyshuarve për sulmin në Prekaz.

Gazetarja e RTK-së, Valjeta Shala, nga Prekazi, ka sjellë reagimet dhe rëndësinë e tij për familjarët lidhur me këtë zhvillim juridik .

Profesori Ahmet Jashari e ka cilësuar si lajm të mirë ngritjen e aktakuzës, duke thënë se ajo është e rëndësishme jo vetëm për Prekazin dhe familjen Jashari, por për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe shtetin e Kosovës.

“Po, sigurisht që është një lajm i mirë. Jo veç për Prekazin, jo veç për lagjen Jashari. Mendoj që është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë në Kosovë, mirëpo edhe për vetë shtetin e Kosovës, meqë në fund, do të thotë, e shohim që drejtësia ka filluar të lëvizë”, ka thënë Jashari.

Ai ka theksuar se vonesa prej 28 vjetësh mund ta vështirësojë procesin e drejtësisë, për shkak të humbjes së dëshmitarëve dhe dëshmive të rëndësishme.

“Sigurisht që është vonë, dhe e potencoj këtë për shkak se 28 vjet pas rastit këtu, ka shumë dëshmi dhe shumë dëshmitarë që nuk janë në mesin tonë. Dhe kjo sigurisht që do të dëmtojë apo do ta bëjë edhe më të vështirë procesin e ndjekjes së atyre që kanë qenë pjesë e sulmit këtu”, ka deklaruar ai.

Jashari ka thënë se janë informuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për 35 të dyshuar, duke shprehur shpresën se procesi do të vazhdojë dhe drejtësia do t’i përgjigjet asaj që ka ndodhur në Prekaz.

“Ne shpresojmë që përkundër të gjithave, përkundër vonesave, të lëvizë dhe të gjenden mundësitë që më në fund drejtësia t’i përgjigjet ndaj asaj që ka ndodhur këtu”, ka thënë Jashari.

I pyetur për rëndësinë e ngritjes së aktakuzave edhe për masakrat e tjera në rrethinën e Prekazit, Jashari e ka cilësuar këtë si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, edhe në aspektin politik dhe shtetëror.

“Po, sigurisht që është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, meqë këtë mund ta ndërlidhim edhe me aspektin politik, për shkak të raporteve të Kosovës si shtet, si shtet që është në proces të konsolidimit”, është shprehur ai.

Sipas tij, duke pasur parasysh edhe rrethanat gjeopolitike, ngritja e aktakuzës dhe më pas dhënia e dënimeve të merituara do të kishte rëndësi edhe për shtetësinë e Kosovës.

“Unë mendoj që ngritja e aktakuzës dhe po presim që kjo edhe të konfirmohet, mandej edhe të jepen dënimet e merituara, mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Jashari.

Megjithatë, ai ka vënë theksin te vonesa e procesit, duke thënë se kalimi i shumë viteve ka bërë që shumë dëshmitarë të rëndësishëm të mos jenë më gjallë.

“Megjithatë, unë mendoj që kjo vonesë, që ka ndodhur, do të thotë 28 vjet, sigurisht që do të amortizojë kështu procesin, meqë janë shumë vite dhe ka shumë dëshmitarë”, ka deklaruar ai.

Jashari ka kujtuar edhe banorë të lagjes që e kanë përjetuar drejtpërdrejt sulmin e 5, 6 dhe 7 marsit, duke theksuar se ata nuk janë më në mesin e të gjallëve.

Ai ka folur edhe për rrugëtimin e drejtësisë në Kosovë pas përfundimit të luftës, fillimisht nën UNMIK-un dhe më pas nën EULEX-in.

“Gjatë krejt kësaj kohe, në vend që drejtësia ndërkombëtare të merrej me krimet serbe, do të thotë, ne jemi dëshmitarë të kësaj që po e shohim këtu me sy, të varrezave që janë faktike, do të thotë që janë të dukshme”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe fokusi është zhvendosur nga agresori te viktima.

“Sikur u provua që fokusi të zhvendoset prej agresorit, te viktima”, është shprehur ai.

Jashari ka përmendur edhe procesin në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si një situatë absurde që, sipas tij, Kosova të jetë në pritje të vendimeve për ish-drejtuesit e UÇK-së, ndërsa ende priten vendime për krimet e kryera gjatë luftës.

“Askush prej nesh nuk ka pritur se diku rreth 30 vjet pas luftës, ne, do të jemi në bankën e të akuzuarve, kurse ata që jemi dëshmitarë, do të thotë të gjithë e dimë çfarë ka ndodhur, jo veç në Prekaz, mirëpo në krejt territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Në fund, Jashari ka shprehur shpresën se procesi i drejtësisë do të lëvizë, pavarësisht vështirësive dhe vonesave.

“Shpresojmë që më në fund lëviz diçka, edhe pse, po e them, nuk është e lehtë. Dhe ne po e jetojmë këtë vështirësi, këtë sfidë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për përjetimin e kësaj historie, ai ka sjellë në kujtesë edhe një pjesë nga filmi “Nëntori i II-të”, duke cituar fjalët e Ismail Qemalit:

“Fatet e popujve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha.”


MË SHUME NGA Lajme