Përfundon restaurimi i Kishës `Engjëlli i Rojës` / Video
Driton Ramadani / RTK
Në komunën e Ferizajt, është restauruar kisha “Engjëlli i Rojës”. Pas përfundimit të punimeve, objekti 100-vjeçar ruan vlerat e tij të trashëgimisë kulturore dhe historike. Për restaurimin e Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës” dhe të Shtëpisë së Motrave të Nderit në Ferizaj, Ministria e Kulturës ka ndarë rreth 2 milionë euro.
Ka përfunduar restaurimi i Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës” dhe Shtëpisë së Motrave të Nderit në Ferizaj. Në ceremoninë e përfundimit të punimeve ishte e pranishme edhe Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, e cila tha se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historisë së përbashkët.
“Kjo kishë, e cila këtë vit shënon 100-vjetorin e saj, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e komunitetit dhe qytetit të Ferizajt. “Engjëlli i Rojës” ka qenë më shumë se një ndërtesë fetare; këtu janë ndërthurur besimi, dija, humanizmi dhe përkushtimi ndaj komunitetit”, ka thënë Ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci.
“Trashëgimia nuk është pronë vetëm e brezit që e administron. Ajo është amanet që një brez e merr nga e kaluara dhe ia dorëzon së ardhmes. Prandaj, ta ruajmë atë që kemi trashëguar dhe ta përcjellim këtë pasuri te brezat që vijnë”, ka thënë Don Mikel Sopi, famullitar.























