Sheholli deklarohet i pafajshëm për akuzat për spiunazh dhe shantazh
Visar Shatrolli|RTK
(Plotësuar, 9:50) Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për spiunazh dhe shantazh, gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatë. Mbrojtja ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke kërkuar që rasti të procedohet sa më shpejt në shqyrtim gjyqësor.
Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për spiunazh dhe shantazh, gjatë seancës fillestare në Gjykatë.
“E ndjej veten plotësisht të pafajshëm për dy veprat penale të ngarkuara në aktakuzë”, ka deklaruar Sheholli para trupit gjykues.
Në anën tjetër, mbrojtja ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke kërkuar që çështja të procedohet sa më shpejt drejt shqyrtimit gjyqësor.
Avokati mbrojtës Mentor Neziri ka deklaruar se mbrojtja dëshiron që procesi gjyqësor të nisë pa shfrytëzuar afatin 30-ditor për paraqitjen e kundërshtimeve ndaj aktakuzës dhe provave.
“Ne tërhiqemi nga e drejta e hudhjes së aktakuzës. Dëshirojmë të fillojmë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor, posa Gjykata ta ketë mundësinë që ta shqyrtojë këtë seancë”, ka thënë Neziri.
Edhe Sheholli është shprehur se heq dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe për të kundërshtuar provat e përfshira në të.
Gjykata i ka njoftuar palët se, meqë rasti do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor, çështja do të trajtohet nga një trup gjykues. Sipas Gjykatës, anëtarët e trupit gjykues caktohen përmes sistemit automatik dhe, për këtë arsye, aktualisht nuk mund të caktohet menjëherë data e seancës së shqyrtimit gjyqësor.
Palët do të njoftohen me kohë për datën dhe orën e seancës, pasi të përfundojnë procedurat përkatëse.
Prokuroria: Sheholli bashkëpunoi me BIA-n
Në seancë, prokuroria ka lexuar aktakuzën ndaj Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.
Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë, BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, ka vepruar në bazë të urdhrave dhe detyrave të një zyrtari të lartë të BIA-s, të identifikuar në aktakuzë si Bojan Dimiç.
Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Prokuroria pretendon gjithashtu se, në kuadër të këtyre aktiviteteve, Sheholli ka zbatuar një plan operativ që synonte, sipas aktakuzës, dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025.
Në aktakuzë thuhet se më 26 shtator 2025, Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut, ku dyshohet se ka pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si dhe shumën prej 5 mijë eurosh.
Sipas prokurorisë, këto materiale më pas i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro, me udhëzime për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Prokuroria pretendon se këto veprime kanë pasur për qëllim diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të Kosovës, thellimin e përçarjeve shoqërore dhe ndërhyrjen e një shërbimi të huaj informativ në procesin zgjedhor.
Akuzë edhe për shantazh
Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj Arben Jetullahut, pronar i një biznesi në Kosovë.
Sipas prokurorisë, gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, Sheholli dyshohet se ka kërkuar para nga Jetullahu, duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që, sipas aktakuzës, do t’i dëmtonin nderin, reputacionin dhe autoritetin.
Prokuroria pretendon se shuma e kërkuar ka tejkaluar 13 mijë euro, ndërsa një pjesë e pagesave dyshohet se është bërë edhe gjatë kohës kur Sheholli ndodhej në paraburgim.
Në aktakuzë thuhet se përmes një familjari të tij, Sheholli dyshohet t’i ketë dërguar të dëmtuarit mesazhe kërcënuese, duke i kërkuar pagesë mujore prej 700 eurosh dhe duke e paralajmëruar për publikimin e një video-incizimi.
Sipas prokurorisë, si pasojë e këtyre kërcënimeve, një punëtor i të dëmtuarit i ka dorëzuar familjarit të Shehollit shumën prej 5 mijë eurosh.
Prokuroria thotë se pretendimet për shantazh janë mbështetur edhe në rezultatet e masave të veçanta hetimore, përmes të cilave janë siguruar komunikime dhe porosi që, sipas saj, përmbajnë kërcënime ndaj të dëmtuarit.
Sheholli i ka mohuar akuzat, ndërsa çështja tani pritet të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor, ku palët do të paraqesin provat dhe argumentet e tyre.
Çdo pretendim i përfshirë në aktakuzë mbetet akuzë e prokurorisë dhe nuk përbën përcaktim përfundimtar të fajësisë së të pandehurit.
Sot seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh
Sh.Ç/RTKlive
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në orën 09:30, mbahet seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Rasti ka të bëjë me pretendime serioze të Prokurorisë Speciale për përfshirjen e Shehollit në veprime që, sipas aktakuzës, kanë pasur për qëllim ndërhyrjen në proceset zgjedhor e në Kosovë, bashkëpunimin me një shërbim të huaj informativ dhe ushtrimin e presionit ndaj një biznesmeni.
Sipas aktakuzës, Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë – BIA, i kishte dhënë Shehollit 5 mijë euro dhe materiale audio, me qëllim të ndikimit në zgjedhjet lokale te komuniteti serb në Kosovë.
Prokuroria pretendon se, pak ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Sheholli kishte marrë materiale që përmbanin biseda audio dhe transkriptime të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të udhëhequr nga Nenad Rashiq.
Sipas aktakuzës, qëllimi ishte që këto materiale të publikoheshin në mediat kosovare për të diskredituar zyrtarët dhe institucionet e Kosovës dhe për të ndikuar në procesin zgjedhor.
Në dokumentin akuzues thuhet se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit dhe analistit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë eurosh, duke e udhëzuar edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte thënë Zekës se materialet i kishte siguruar nga Agjencia Gjermane për Zhvillim – GIZ.
“Top Sekret 2” dhe pretendimet për radikalizimin islamik
Një tjetër element i rëndësishëm i aktakuzës është një fotografi e gjetur në telefonin e Shehollit, me mbishkrimin “Top Sekret 2”.
Sipas Prokurorisë, dokumenti përmban një plan veprimi që synonte krijimin e perceptimit se Kosova është një shtet i radikalizuar dhe ekstremist.
Në aktakuzë pretendohet se dokumenti parashihte mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd dhe investimin e tyre në ndërtimin e xhamive në vende të dukshme, ndërsa synimi i deklaruar në dokument, sipas Prokurorisë, ishte krijimi i një atmosfere pasigurie dhe largimi i një pjese të të rinjve nga Kosova.
Prokuroria pretendon se përmes këtij plani synohej edhe ndryshimi i qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe krijimi i kushteve që vendi të kthehej nën juridiksionin e Serbisë.
“Leptiri” dhe Albin Kurti
Në telefonin e Shehollit, sipas aktakuzës, është gjetur edhe një dokument i titulluar “Leptiri”.
Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për një dokument të hartuar nga struktura e Sigurimit Shtetëror të Serbisë – RDB, në vitin 2001, i cili përshkruante një plan për komprometimin dhe rekrutimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.
Sipas përshkrimit të Prokurorisë, në këtë plan parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, për sigurimin e materialeve komprometuese ndaj Kurtit dhe ushtrimin e presionit ndaj tij me qëllim të bashkëpunimit me RDB-në.
Akuza për shantazh ndaj një biznesmeni
Përveç akuzës për spiunazh, Prokuroria Speciale e ngarkon Shehollin edhe me veprën penale të shantazhit.
Sipas aktakuzës, Sheholli kishte poseduar video-incizime të një biznesmeni kosovar dhe, duke përdorur këto materiale, dyshohet se i kishte kërkuar atij para në një shumë që kalonte 13 mijë euro.
Prokuroria thotë se për rastin posedon fotografi, incizime dhe prova të tjera të siguruara edhe përmes masave të veçanta hetimore, përfshirë monitorimin dhe përgjimin.
Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025 dhe, sipas raportimeve të publikuara, që atëherë ndodhet në paraburgim.
Ai ka punuar si gazetar, këshilltar në Komunën e Graçanicës dhe në Ministrinë për Kthim. Gjithashtu ka drejtuar një organizatë joqeveritare dhe ka pasur paraqitje të shumta në media si analist politik.
Seanca e sotme pritet të jetë një nga hapat e parë të procesit gjyqësor, ndërsa gjykata do të shqyrtojë çështjet procedurale dhe qëndrimet e palëve lidhur me aktakuzën.
Të gjitha pretendimet e përmendura në këtë tekst janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.























