BE-ja i bën thirrje Serbisë: Kriminelët e luftës nuk glorifikohen
Gjeraqina Tuhina / RTK-Bruksel
Bashkimi Evropian ka porositur se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Kjo thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar në ditën kur në Serbi po zhvillohet ceremonia e varrimit të kriminelit të luftës në ish-Jugosllavi, Ratko Mladiq.
Pavarësisht se në ceremoninë e varrimit po marrin pjesë edhe ministra nga qeveria e Serbisë, si dhe pjesëtarë të ushtrisë, Komisioni Evropian nuk e cilëson këtë si ceremoni shtetërore.
“Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë. Nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës, as për ata që mohojnë gjenocidin, apo për ata që bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Dhe fakti është se kishim dëgjuar se ishte parashikuar një varrim me nderime shtetërore, por kjo nuk do të jetë rasti”, ka thënë Paola Pinho, zëdhënëse e KE-së.
Sidoqoftë, sjellja e politikanëve serbë lidhur me vdekjen e të dënuarit për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit tani ka bërë që të rivlerësohet turneu vjetor ballkanik i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Mund të konfirmoj se, si çdo vit, Presidentja do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor. Programi është ende duke u hartuar në këto momente dhe, për këtë arsye, nuk jam në gjendje të konfirmoj se cilat vende janë përfshirë dhe nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë apo jo pjesë e programit, sepse ende po punohet në agjendë”, ka thënë Pinhoi
Disa burime jozyrtare në këtë institucion kanë bërë të ditur se anashkalimi i Serbisë sivjet është një nga opsionet që po shqyrtohet në kabinetin e von der Leyen.























