Aleanca Shqiptare për Graçanicë mbështet Bekim Sejdiun për president
A.B/RTKLive
Aleanca Shqiptare për Graçanicë, e përbërë nga përfaqësues të LVV-së, LDK-së, PDK-së dhe AAK-së që veprojnë në Komunën e Graçanicës, ka shprehur mbështetje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë publike, kjo aleancë e cilëson Sejdiun si figurë konsensuale dhe thekson se ai ka qenë mbështetës dhe udhërrëfyes i veprimtarisë së tyre politike, si dhe një nga figurat kryesore në bashkimin e tyre në një listë të përbashkët zgjedhore.
Sipas deklaratës, përvoja e Sejdiut në një komunë shumetnike si Graçanica e bën atë të aftë për të kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së Kushtetutës, ligjeve dhe të drejtave të komuniteteve.
Aleanca u ka bërë thirrje partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut, duke theksuar se interesi shtetëror duhet të mbizotërojë mbi çdo interes tjetër.























