`Liria ka Emër` para EULEX-it: `Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!`
Valjete Shala /RTK
Aktivistë të platformës “Liria ka Emër” kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara, duke vendosur pankartë me mbishkrimin: “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”.
Vajza e dëshmorit Fatmir Fazlija dhe mbesa e dëshmorit Ali Haliti, Flaka Fazlija, tha se nuk mund të ketë drejtësi nëse harrohet se kush ishte agresori dhe kush viktima.
“Sot kam ardhur këtu me një mesazh që nuk mund të relativizohet, as të anashkalohet. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Por drejtësia nuk mund të jetë e drejtë nëse shkëputet nga historia. Nuk mund të ketë drejtësi nëse harrohet se kush ishte agresori dhe kush luftoi për të mbijetuar. Nuk mund të ketë drejtësi nëse lufta e një populli për liri shndërrohet, pas dekadash, në një proces ku viktima duhet vazhdimisht ta dëshmojë pafajësinë e vet. Sot, para jush, ne vendosim një mesazh që përfaqëson pritjen, dhimbjen dhe bindjen e mijëra qytetarëve të Kosovës: "Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”, tha ajo.























