Mujanoviç kërkon sanksione ndaj Serbisë dhe Republikës Srpska
A.B/RTKLive
Analisti politik Jasmin Mujanoviç ka kërkuar masa konkrete ndaj udhëheqjeve në Beograd dhe Banja Llukë, pas glorifikimit publik të kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq.
Mujanoviç kërkon që Bashkimi Evropian të pezullojë zyrtarisht të gjitha negociatat e anëtarësimit dhe fondet për Serbinë, si dhe të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve që morën pjesë në varrimin e Mlladiqit.
Ai kërkon gjithashtu pezullimin e fondeve zhvillimore të BE-së për entitetin e Republikës Srpska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj udhëheqjes së saj.
Sipas tij, duhet të pezullohen edhe marrëveshjet tregtare dhe të bashkëpunimit, veçanërisht në sektorin e sigurisë, ndërmjet Beogradit, Banja Llukës dhe kryeqyteteve përkatëse.
Mujanoviç i ka bërë thirrje edhe Shteteve të Bashkuara që të rikthejnë sanksionet e hequra ndaj Milorad Dodikut dhe zyrtarëve të tjerë në tetor të vitit 2025.
“Deklaratat politike nuk janë më të mjaftueshme”, ka shkruar ai, duke paralajmëruar se pas ngjarjeve të së hënës, fjalët pa veprime konkrete do të rrezikonin të shndërroheshin në “bashkëfajësi” ndaj një projekti politik që, sipas tij, mbetet po aq i rrezikshëm dhe ekstremist sa në vitet ’90.























