Milani kërkon Endrick-un, gati oferta për brazilianin
BKT
Sport

Milani kërkon Endrick-un, gati oferta për brazilianin

F.B/RTKLive

Klubi i madh italian, AC Milani raportohet se po e shqyrton mundësinë për të bërë një ofertë për huazimin e Endrickut nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sulmuesi brazilian 20-vjeçar pati vështirësi për të siguruar minuta të rregullta te madrilenët dhe në pjesën e dytë të sezonit të kaluar u huazua te Lyon. Atje, Endrick la gjurmë me paraqitjet e tij, duke realizuar tetë gola dhe duke dhuruar po aq asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat.

Pas rikthimit në Madrid në muajin qershor, e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë. Liverpooli kishte shfaqur interes për ta huazuar brazilianin për të gjithë sezonin 2026/27, por Real Madridi e refuzoi propozimin, pasi dëshironte ta vlerësonte më nga afër lojtarin pas rikuperimit nga lëndimi.

Endrick pritet të rikthehet në dispozicion për ndeshje gjatë muajit tetor. Nëse hapësirat për të vazhdojnë të jenë të kufizuara, Real Madridi mund të rishqyrtojë situatën e tij gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Në këtë skenar, Milani pritet të jetë një prej klubeve që mund të tentojë huazimin e tij. Kuqezinjtë mund t’i ofrojnë Endrickut më shumë minuta dhe një rol më të rëndësishëm, sidomos pas largimit të Rafael Leaos drejt Galatasarayt.

Liverpooli mbetet gjithashtu i interesuar për një huazim, por Milani mund të ketë një avantazh në garë, pikërisht për shkak të mundësisë për t’i garantuar brazilianit më shumë hapësira në formacion.