Anekskontratat në prokurimin publik kanë shënuar rritje të ndjeshme|Video
BKT
Lajme

Anekskontratat në prokurimin publik kanë shënuar rritje të ndjeshme|Video

Kaltrina Rexhepi / RTK

Aneks-kontratat në prokurimin publik kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit. Një hulumtim i SBUNKER ka analizuar këtë trend, ndërsa institucionet vlerësojnë se menaxhimi dhe kontrolli i kontratave mbetet një sfidë. Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se deri më tani rreth 500 raste me elemente të veprave penale janë përcjellë në Prokurori.

Aneks-kontratat në prokurimin publik janë rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit. Sipas një hulumtimi të SBUNKER, vlera e tyre është rritur nga 3.2 milionë euro në vitin 2021, në 18.6 milionë euro në vitin 2025 apo deri në 482 për qind. Kjo rritje nuk nënkupton automatikisht korrupsion, por sipas ekspertëve krijon hapësirë për dyshime dhe rrezik për afera korruptive.

"Ka pas rritje 400% të vlerës së anekskontratave, është vërtetu edhe në raport, dhe është një shumë shumë e madhe. Kjo jo domosdoshmërisht përbën korrupsion nëse është bërë një aneks kontratë, por kjo lë shumë hapësirë për të dyshuar se ka pas mundësi të ketë ndonjë aferë korruptive", tha Fitim Gashi, drejtor në SBUNKER.

Institucionet thonë se pikërisht për këtë arsye nevojiten më shumë kontroll dhe transparencë gjatë menaxhimit të kontratave publike.

"Parandalimi i korrupsionit nuk nënkupton vetëm reagim ndaj një shkelje, është më shumë identifikim i këtyre rreziqeve në dizajnimin e proceseve duke rritur transparencën, duke rritur kontrollin dhe mekanizmat e tjerë në proces", theksoi Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se deri më tani rreth 500 raste me elemente të veprave penale janë përcjellë në Prokurori.

"Prokurimi publik, me theks menaxhimi i kontratave, vazhdon të mbetet sfidë për institucionet publike dhe forcimi i kontrolleve të brendshme vazhdon të jetë mëse i nevojshëm. Deri në 500 raste deri më tani janë dërgu në Prokurori për gjetje që kanë elemente të veprave penale", pohoi  Faruk Rrahmani, drejtor i Departamentit të Auditimit në ZKA.

Rritja e aneks-kontratave, ndonëse e lejuar me ligj, mbetet një tregues që kërkon më shumë transparencë dhe kontroll, për të shmangur keqpërdorimin e parasë publike.


MË SHUME NGA Lajme