Arteta para duelit me Sunderlandin: Vështirë do të jetë
F.B/RTKLive
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur para ndeshjes së fundjavës ndaj Sunderlandit, duke paralajmëruar skuadrën e tij për një përballje të vështirë në “Stadium of Light”.
“Topçinjtë” kanë fituar tri ndeshjet e para të sezonit në Premier League dhe synojnë të vazhdojnë ecurinë perfekte edhe ndaj Sunderlandit.
Arsenali vetëm pesë herë në historinë e tij ka arritur t’i fitojë katër ndeshjet e para të një sezoni në kampionat. Një fitore të shtunën do t’i jepte mundësinë skuadrës së Artetës të bëjë histori dhe potencialisht të ngjitet në krye të tabelës.
Sa i përket gjendjes së skuadrës, Arteta dha lajme pozitive për Jurrien Timber dhe Ben White, ndërsa për Cristhian Mosqueran tha se është në gjendje të mirë dhe mund të rikthehet në dispozicion për këtë ndeshje ose atë të radhës.
Për Timberin, trajneri spanjoll tha: “Ta shohim, kemi edhe një seancë stërvitore. Ai duket në formë të mirë.”
Ndërkohë, për Mosqueran shtoi: “Ai po bën shumë mirë. Ta shohim nëse mund të luajë këtë ndeshje apo të radhës.”
Arteta foli edhe për problemet e Arsenalit me lëndimet në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke pranuar se mungesat e Timberit dhe Ëhite në të njëjtën kohë kanë qenë një sfidë e madhe.
“Ky ishte një nga problemet që kishim edhe sezonin e kaluar, kur patëm lëndime në të njëjtin pozicion. Shpresojmë që këtë sezon të kemi më shumë fat dhe ta menaxhojmë më mirë situatën”, deklaroi Arteta.
Në prag të duelit me Sunderlandin, i cili ka tri ndeshje pa humbje, Arteta pret një atmosferë të zjarrtë në stadium.
“Duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Nesër në mbrëmje do të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme dhe e dimë se sa e vështirë do të jetë”, tha ai.
Arsenali është i pamposhtur në 15 përballjet e fundit në Premier League ndaj Sunderlandit. Megjithatë, në sezonin e kaluar londinezët humbën pikë pas një barazimi 2-2, ku Daniel Ballard dhe Brian Brobbey shënuan për Sunderlandin.























