Pas rezultateve të PISA-s, Çeku paralajmëron ndryshime të thella në arsim
E.Hoti/RTKlive
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka paralajmëruar ndryshime të thella në sistemin arsimor të Kosovës, pas rezultateve jo të mira në PISA. Ai ka thënë se reformat mund të kenë edhe kosto, përfshirë humbjen e vendeve të punës.
Në një tryezë të organizuar nga ROSCAP, ku u diskutua për rezultatet e PISA-s dhe të ardhmen e arsimit në Kosovë, Çeku në fjalimin e tij tha se rezultatet duhet të shërbejnë si shtysë për ndryshime dhe jo për një debat të pafund rreth asaj se kush është fajtor.
“Rezultatet e PISA-s na kanë dhënë shumë arsye për të reflektuar seriozisht për gjendjen e arsimit. Rezultati nuk është i mirë. Nuk kemi pse ta zbukurojmë. Por as nuk kemi arsye të dorëzohemi para tij.Këto dy ditë, shumë prej atyre që kanë folur janë marrë me pyetjen: kush e ka fajin? Unë do të kursehem nga kjo, sepse nuk mendoj se na sjell shumë dobi. Përgjegjësi ka, sigurisht. Secili ka pjesën e vet të përgjegjësisë. Por sot duhet të shtrojmë një pyetje tjetër: çka bëjmë tash?Mund të vazhdojmë edhe disa ditë duke e fajësuar njëri-tjetrin, e pastaj të vazhdojmë si më parë. Atëherë nuk kemi bërë asgjë. Ose mund ta përdorim këtë moment për t’i dhënë forcë një ndryshimi që arsimit i duhet prej kohësh.Na duhet një analizë e thellë e rezultateve dhe do ta bëjmë. Por disa gjëra tashmë i dimë. Për to nuk kemi nevojë të presim analiza të tjera.Kosova nuk shpenzon pak për arsim. Si përqindje e bruto produktit vendor, jemi afër mesatares së OECD-së. Por me rezultate jemi larg. Prandaj duhet ta shohim mirë si po e shpenzojmë buxhetin që e kemi. Sa shkon për paga, sa për cilësi, ku po investojmë dhe çka duhet të ndryshojmë ”, ka thënë ai.
Çeku foli edhe për cilësinë e mësimdhënies. “Kemi shumë mësimdhënës të mirë, që çdo ditë bëjnë punë të jashtëzakonshme me fëmijët tanë. Por kemi edhe mësimdhënës që nuk e bëjnë punën me kompetencën që e kërkon profesioni. Detyra e shtetit është ta vendosë standardin dhe të kujdeset që ai të vlejë njësoj për të gjithë”.
Ai kritikoi mënyrën aktuale të funksionimit të sistemit arsimor, duke e cilësuar sistemin e decentralizuar si “kaotik”.
“Duhet ta shohim edhe mënyrën si e qeverisim arsimin. Këtu duhet të jemi të qartë: sistemi i decentralizuar, ashtu siç funksionon sot, është sistem kaotik. Përgjegjësitë janë të shpërndara ndërmjet Ministrisë, komunave dhe shkollave, ndërsa përgjegjësia për rezultatin shpesh mbetet pa adresë të qartë. Decentralizimi ka vlerë kur vendimmarrjen e afron me shkollën dhe komunitetin. Por nuk mund të nënkuptojë që secili ka një pjesë të pushtetit, ndërsa në fund askush nuk mban përgjegjësi për rezultatin”, ka thënë ai.
Çeku tha se shkollat dhe drejtorët duhet të kenë më shumë kompetenca, por edhe më shumë përgjegjësi për rezultatet e nxënësve.
“Prandaj hapi i ardhshëm duhet të jetë fuqizimi i shkollës. Drejtori dhe shkolla duhet të kenë më shumë hapësirë për të vendosur, por edhe më shumë përgjegjësi për rezultatet. Ministria duhet t’i vendosë dhe t’i ruajë standardet, ndërsa komunat ta vazhdojnë rolin e tyre të rëndësishëm në mbështetjen dhe zhvillimin e shkollave. Duhet ta dimë qartë kush vendos, për çka vendos dhe kush përgjigjet kur gjërat nuk shkojnë mire”, tha ai.
Ministri në detyrë paralajmëroi gjithashtu zbatimin e provimit shtetëror për hyrje në profesionin e mësimdhënësit.
“Ky provim është detyrim që buron nga ligji dhe ne duhet ta zbatojmë. Provimi shtetëror është një mënyrë për ta vendosur dhe ruajtur një standard të njëjtë për secilin që hyn në profesion, kudo që do të punojë në Kosovë. Edhe punësimin në shkolla duhet ta mbrojmë nga ndikimet politike dhe të sigurohemi që në klasë të hyjë kandidati më i mirë.Duhet ta shohim edhe rrjetin e shkollave. Numri i nxënësve po bie dhe rrjeti duhet t’i përshtatet këtij realiteti. Këtë duhet ta bëjmë bashkë me komunat, duke e pasur në qendër interesin e fëmijës. Disa vendime nuk do të jenë të lehta. Mund të kenë edhe kosto politike. Por edhe mosmarrja e vendimeve ka kosto për arsimin.Në fund, krejt sistemi shihet në klasë. Kurrikula është e ngarkuar. Tekstet nuk janë aq të mira sa duhet. Fëmijët mësojnë shumë gjëra përmendësh, por kanë më pak mundësi ta përdorin atë që kanë mësuar. Këtë e shohim edhe në PISA. Fëmijët tanë kanë vështirësi kur përballen me një problem të ri dhe duhet të mendojnë e të gjejnë zgjidhje.Kemi problem edhe me kohën cilësore në shkollë. Mbi gjysma e nxënësve të testuar kanë thënë se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testimit. Por nuk është puna vetëm te mungesat. Edhe kur fëmija është në shkollë, pyetja është: sa prej asaj kohe është vërtet mësim”, tha ai.
Ndërkohë, Çeku tha se Strategjia për Arsimin 2035+ pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, ndërsa ndryshimet, sipas tij, duhet të nisin menjëherë.
“Dialogun për Arsimin 2035+ e kemi filluar para se të dilnin rezultatet e PISA-s. Për strategjinë e re, kemi bërë bashkë Ministrinë, drejtoritë komunale të arsimit, SBASHK-un, Konferencën e Rektorëve, Këshillin e Prindërve, Kolegjiumin e çerdheve, studentët e nxënësit. Bashkë kemi nënshkruar edhe Zotimin për Arsimin 2035+. Po punojmë ngushtë edhe me ekspertët, shoqërinë civile, sektorin privat dhe partnerët zhvillimorë.Dua ta theksoj këtë: kjo nuk duhet të jetë strategji e Ministrisë. Duhet të jetë strategji e arsimit të Kosovës. Po e hartojmë bashkë dhe duhet ta zbatojmë bashkë. Nuk duhet të jetë një vendim i Qeverisë që u imponohet të tjerëve, por produkti ynë i përbashkët dhe një drejtim për të cilin marrim përgjegjësi bashkë.Strategjinë duhet ta përfundojmë deri në fund të këtij viti. Ndryshimet, ndërkaq, duhet të fillojnë menjëherë dhe pastaj, çdo vit, t’i përshpejtojmë hapat.Kjo kërkon që të ecim bashkë: Qeveria dhe komunat, partitë politike dhe sindikata, mësimdhënësit dhe drejtorët, studentët dhe nxënësit, shoqëria civile dhe bizneset. Jo sepse do të pajtohemi për çdo gjë. Por sepse ndryshimi që kërkojmë është shumë më i madh se secili prej nesh”, th ai.
Çeku përmendi se ky ndryshim do të ketë kosto. “Dikush mund ta humbë vendin e punës, dikush ndikimin që e ka pasur, dikush vota, dikush një interes financiar. Por asnjëra prej këtyre nuk mund të jetë arsye për ta ndalur një ndryshim që është i mirë për arsimin dhe për fëmijët tanë.Në edukimin në fëmijërinë e hershme duhet ta zgjerojmë rrjetin. Synimi duhet të jetë që çdo familje të ketë një çerdhe afër dhe me kosto të përballueshme. Por nuk mjafton vetëm të kemi më shumë vende. Duhet ta ngrisim edhe cilësinë.Në shkollën nëntëvjeçare duhet të ecim gradualisht drejt shkollës gjithëditore. Ta lehtësojmë kurrikulën, t’i përmirësojmë tekstet dhe t’i japim më shumë kohë leximit, matematikës, shkencës, arsyetimit dhe punës praktike. Ta forcojmë profesionin e mësimdhënësit dhe t’i japim më shumë fuqi vetë shkollës.Teknologjinë digjitale duhet ta përdorim aty ku e ndihmon mësimin dhe ia lehtëson punën mësimdhënësit. Jo ta fusim teknologjinë në klasë vetëm për të thënë se e kemi. Dhe jo për ta zëvendësuar librin, letrën dhe lapsin. Fëmijëve u duhen edhe teknologjia, edhe libri.Arsimin profesional duhet ta bashkëdrejtojmë me sektorin privat dhe ndërmarrjet publike. Ata që nesër do t’i punësojnë këta të rinj duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes se cilat profesione zhvillohen dhe cilat aftësi mësohen. Një i ri i diplomuar në shkollë profesionale duhet të gjejë punë relativisht shpejt".
Ai tha se arsimi i lartë duhet të ristrukturohet. "Na duhen universitete që i shërbejnë zhvillimit të vendit, që lidhen me industritë prioritare të shtetit dhe që japin kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës.Në çdo nivel të sistemit duhet ta dimë shumë më herët kur një fëmijë ka mbetur prapa. Ta gjejmë problemin herët dhe ta ndihmojmë fëmijën aty, jo ta lëmë ta bartë të njëjtin problem prej një klase në tjetrën.Prandaj duhet t’i shohim ndryshe edhe vendimet që i kemi përpara. Kontrata kolektive në arsim duhet të diskutohet, hapur dhe pa ngarkesa. Por, nuk ka kuptim të flasim për kontratë të re kolektive në arsim nëse ajo nuk i shërben ngritjes së cilësisë. Formulën e financimit për grantin specifik për arsim duhet ta analizojmë e diskutojmë. Por, nuk mund të kemi formulë të re për grantin specifik për arsim nëse ajo nuk i shërben depolitizimit të shkollave. Çdo vendim i madh duhet të matet me një pyetje të vetme: a e përmirëson cilësinë e arsimit?Këtë ndryshim nuk mund ta bëjë një ministër. Nuk mund ta bëjë vetëm Ministria. As vetëm Qeveria. Nëse strategjia është e përbashkët, edhe përgjegjësia për ta çuar përpara duhet të jetë e përbashkët”, tha ai .
Sipas tij, arsimin duhet të nxjerret sa më shumë nga përplasjet e përditshme politike. ”Na duhet një marrëveshje shoqërore që shkon përtej një partie, një qeverie dhe një mandati. Një marrëveshje që arsimin e vendos në epokën e cilësisë”.
“PISA na dha një rezultat që nuk është i mirë. Tash varet prej nesh çka bëjmë me të”, përfundoi ministri në detyrë.























