Mobilizimi i qytetarëve nga e gjithë Kosova|Video
BKT
Lajme

Mobilizimi i qytetarëve nga e gjithë Kosova|Video

Kaltrina Rexhepi / RTK

Mobilizimi i qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin për Liri në Prishtinë kishte filluar që në orët e hershme të ditës. Qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës u nisën drejt Prishtinës për t’iu bashkuar marshit. Ata deklaruan se presin që drejtësia të triumfojë dhe çlirimtarët të kthehen në Kosovë.

Qytetarë nga e gjithë Kosova u nisën drejt kryeqytetit me një mesazh të përbashkët: mbështetje për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Mobilizimi nisi në qytetet më të mëdha të vendit, ndërsa autobusë të organizuar u nisën nga Prizreni drejt Prishtinës.

"Si çdo herë, Prizreni është mobilizuar edhe kësaj radhe dhe jemi përgatitur sot, afërsisht i kemi rreth 15 autobusë", tha Ndue Qollaku, qytetar.

"Është datë shumë e rëndësishme. E gjithë Kosova duhet të jetë në Prishtinë. Përtej Kosovës, sot duhet të jenë në Prishtinë, kushdo që e ndien veten shqiptar", pohoi Faruk Bojagjiu, qytetar.

Edhe nga Gjakova, qytetarët u mblodhën për t'iu bashkuar marshit. Ata thonë se pjesëmarrja është një mënyrë për të dëshmuar mbështetjen ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

"Jemi mbledhur sot në Gjakovë. Ai që e do lirinë e Kosovës, me shku me i përkrah ata djem që e kanë qit jetën e vet në shërbim të vendit dhe të lirisë", theksoi Miftar Shabanaj, qytetar.

"Populli i Kosovës po e dëshmon që është pranë djemve të vet, pranë çlirimtarëve", tha Hysni Curri, qytetar.

"Njëherë e përgjithmonë, populli shqiptar do ta ketë në dije që nuk kanë mbrojtur vetveten, por i kanë mbrojtur vlerat e Ushtrisë Çlirimtare dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare", pohoi Zenel Krasniqi, qytetar.

Mbështetje për marshin është shprehur edhe në Mitrovicë, prej nga qytetarët janë nisur drejt Prishtinës me shpresën për një përfundim të drejtë të procesit gjyqësor.

"Për çlirimtarët prej Finlandës jam ardhur. Ishalla më 16 lirohen e festojmë në Brojë", tha qytetar nga Mitrovica.

"Përpos shpalljes së pavarësisë, që ka qenë një gëzim i madh, po shpresojmë shumë në pafajësinë e tyre. Sot është marsh, por më 16-n ka me qenë një festë gjithkombëtare", tha Rafet Ibishi, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta.

Edhe qytetarët e Ferizajt janë mobilizuar për t'iu bashkuar marshit në Prishtinë. Ata thonë se besojnë në pafajësinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe presin kthimin e tyre në Kosovë.

"Besoj që më 16 shtator çlirimtarët do të kthehen në vendin e tyre, aty ku edhe e kanë vendin. Lufta ka qenë e drejtë dhe nuk ka se për çka të gjykohen. Ata janë të pafajshëm dhe i presim me padurim që të kthehen në vendin e vet", tha Xhemajl Sahati, qytetar.

"Besoj që çlirimtarët janë të pastër dhe UÇK-ja është e pafajshme, sepse kanë bërë një luftë të pastër për çlirimin e këtij vendi", pohoi Fatmir Rexha, qytetar.

Marshi per liri u mbajt katër ditë para datës 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme