"Nuk ka kufomë, nuk ka krim", kjo ishte politika e Milosheviqit në Kosovë
Tamara Nikçeviq
Nga 25 deri më 28 mars 1999, forcat serbe në Kosovë vrisnin nga një qind civilë shqiptarë në ditë... "Nuk ka kufomë, nuk ka krim", u deklaroi Milosheviqi bashkëpunëtorëve të tij dhe më pas nisën kamionët frigoriferë me trupat e civilëve shqiptarë, varrezat masive, e më pas sanimi i terenit, thotë në një intervistë për RTKLive gazetari dhe shkrimtari beogradas Rade Radovanoviq.
Për librin “E qeshura nën litar” të gazetarit beogradas, ish-shefit të birosë së Radios Evropa e Lirë për Serbinë, si dhe njërit prej themeluesve dhe redaktorëve të gazetës Danas, dramaturgut Rade Radovanoviq, historiania Latinka Peroviq ka shkruar se është një "dokument specifik historik", i cili, "si një ilaç i fortë në doza të mëdha, ndihmon për të ndarë indin e sëmurë nga ai i shëndoshi", të gjitha këto "me shpresën se vetëm kjo mund të kontribuojë në shërimin e të tërës". Duke gjykuar nga shpërthimi i ri i nacionalizmit serbomadh, i demonstruar javën e kaluar përpara dhe gjatë varrimit shtetëror të organizuar për kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq, libri i Radovanoviqit, i cili në Kosovë ka pasur disa botime, megjithatë nuk ka kontribuar në "shërimin e të tërës". Përkundrazi: dëshmia për vuajtjet e civilëve shqiptarë gjatë ndërhyrjes së NATO-s mbi Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ) në vitin 1999, me të cilën, ndër të tjera, Rade Radovanoviq merret në librin e tij, mund të nxiste vetëm zemërimin e një shoqërie që këtë 7 shtator, me nderimet më të larta ushtarake, përcolli deri në varrezat e Topçiderit në Beograd personin e dënuar për gjenocid dhe krime të tjera luftë.
Arkivi i Grumbullimeve Publike në Beograd pretendon se në varrim morën pjesë 16.000 qytetarë; mediat perëndimore thonë se kishte shumë më tepër.
Para 23 vitesh, më 15 mars 2003, disa qindra mijëra qytetarë të Serbisë dhe rajonit, në dhimbje dhe heshtje, përcollën nga sheshi "Sllavija" i Beogradit për në Varrezat e Reja kryeministrin Zoran Gjinjiq, i cili u vra nga komplotistët – zyrtarë të shtetit të Serbisë. Ku janë, pothuajse një çerek shekulli më vonë, të gjithë ata qytetarë që me të drejtë e cilësuan ekzekutimin e kryeministrit Zoran Gjinjiq si një dënim me mortje për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe rajonit?
"Nuk janë më! Dhe pikërisht kjo është diagnoza e gjendjes aktuale të shoqërisë serbe", thotë për RTKLive autori i librit “E qeshura nën litar”, Rade RADOVANOVIQ. "Tek ne, periudha e shkurtër e iluzionit të normalitetit zgjodhi më pak se dy vjet; pikërisht aq sa Zoran Gjinjiq ishte kryetar i Qeverisë së Serbisë."
Radovanoviq shton se në varrimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq ndoshta do të merrnin pjesë më pak qytetarë nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do të paralajmëronte paraprakisht për ditë me radhë ardhjen e dhjetëra mijëra njerëzve që mohojnë se kasapi i Srebrenicës ka kryer krimet më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
RTKLive: Në librin “E qeshura nën litar” përmendni gjeneralin e Ushtrisë së Jugosllavisë Vllastimir Gjorgjeviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime luftë të kryera në Kosovë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në RFJ në vitin 1999. Gjenerali Gjorgjeviq i pranoi krimet, pranoi se trupat e civilëve të vrarë shqiptarë, përfshirë fëmijë, me kamionë frigoriferë janë dërguar në Serbi dhe janë hedhur në varreza masive. Si është e mundur që, përkundër dëshmive të pjesëmarrësve të drejtpërdrejt në krimet e tmerrshme të kryera në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ato krime vazhdojnë të mohohen?
RADOVANOVIQ: Gjatë tridhjetë viteve të kaluara, përpara se të likuidoheshin, viktimat e politikës kriminele të Sllobodan Milosheviqit janë dehumanizuar publikisht në mënyrë konstante, të vazhdueshme dhe sistematike. Si të keni dhembshuri dhe mëshirë ndaj atyre fqinjëve tuaj të cilët mediat tuaja më parë juve jua kanë paraqitur si armiq të vjetër dhe djaj që duhen shkatërruar?
Pas vrasjes së civilëve, në Kosovë hyhej në procesin e sanimit të terrenit, pak a shumë i zakonshëm te çdo ushtri që përgatitet për kryerjen e krimeve masive. Hannah Arendt nuk ka qenë në kampet naziste, por ka dhënë kontributin më të madh në hulumtimin e të gjitha formave të panjerëzishmes, të keqes dhe krimeve të Luftës së Dytë Botërore. Ajo ndoqi gjyqin ndaj kriminelit nazist Adolf Eichmann, pas të cilit definoi teorinë mbi banalitetin e së keqes. Shprehja që përdor Hannah Arendt, e cila, besoj, në masë të madhe shpjegon atë që po ndodh tek ne, është – relativizmi nihilist. Për këtë bëhet fjalë.
RTKLive: Për çfarë?
RADOVANOVIQ: Për disa njerëz nuk peshojnë asgjë dokumentet, faktet mbi krimet dhe bëmat konkrete; ndaj gjithçkaje që shohin e dëgjojnë përgjigjen shkurt e me pak fjalë – po, e çfarë pastaj?! Dhe vazhdojnë tutje. Këtë shpesh e bën publikisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
RTKLive: Së fundmi edhe në Zubin Potok janë zbuluar varreza masive me trupa të civilëve shqiptarë, të cilët forcat serbe po ashtu i likuiduan në vitin 1999. Nuk pati reagime nga Serbia zyrtare?
RADOVANOVIQ: Nuk pati, gjë që është e pritshme. Këtë lajm e publikuan disa media të lira në Serbi, por gjithçka mbeti me kaq. Varrezat masive dhe krimet që forcat serbe kanë kryer gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta prej vitesh nuk përbëjnë lajm në Serbi. Nga ana tjetër, në Kosovë ka edhe serbë që kërkojnë të tyret – nëse nuk gaboj, rreth 1700 prej tyre konsiderohen të zhdukur. Supozohet se janë të vdekur, por nuk dihet ku janë trupat e tyre. Edhe shqiptarët kanë një problem të ngjashëm – të zhdukur janë jo më pak se dy mijë veta. Natyrshëm, njerëzit kërkojnë mbetjet mortore të më të dashurve të tyre, gjë që u vështirësohet nga fakti se nuk ka bashkëpunim dhe shkëmbim adekuat mes Beogradit dhe Prishtinës, Beogradit dhe Zagrebit, Beogradit dhe Sarajevës.
E gjithë historia për të zhdukurit është një dëshmi e trishtë e marrëdhënies tonë etike dhe civilizuese ndaj njerëzve që humbën jetën në luftërat dhe konfliktet e Ballkanit në vitet e nëntëdhjeta.
RTKLive: Në prag të ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë forcat serbe tashmë kishin nisur krimet dhe dëbimin e njerëzve. Cilat njësi luftuan atje?
RADOVANOVIQ: Nga marsi i vitit 1998 deri në fund të vitit 1999 ka luftuar Ushtria e Jugosllavisë, ushtria zyrtare e Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë. Nga ana kosovare, luftonte UÇK-ja, në atë kohë një formacion ushtarak ndërkombëtarisht i panjohur. Para fillimit të konfliktit, ndërsa NATO nisi ndërhyrjen mbi RF të Jugosllavisë më 24 mars 1999, në Kosovë mbërritën 38 formacione paramilitare dhe parapolicore nga Serbia. Bëhet fjalë për njerëz të armatosur, shumica e të cilëve kishin përvojë të mëparshme ushtarake nga luftërat e viteve të nëntëdhjeta – më pak në Kroaci, shumë më tepër në Bosnjë dhe Hercegovinë.
RTKLive: Kush i armatosi ato formacione paramilitare dhe parapolicore? Prej nga u erdhi armatimi?
RADOVANOVIQ: Shteti i Serbisë, natyrisht, me koordinimin e ushtrisë dhe policisë. Ngjashëm ka qenë edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, por në mënyrë tjetër dhe nën rrethana të tjera.
RTKLive: Para fillimit të bombardimeve, Vojisllav Sheshel praktikisht e kërcënoi NATO-n. Çfarë funksioni mbante Sheshel në atë moment?
RADOVANOVIQ: Ishte zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë. "Nëse NATO na sulmon, do të pësojnë shumë serbë, por pas kësaj në Kosovë nuk do të ketë më shqiptarë", kërcënoi Vojisllav Sheshelj. Në studimet e mëvonshme të asaj që ndodhte ato vite në Kosovë, deklarata e zëvendëskryeministrit të atëhershëm të Qeverisë së Republikës së Serbisë merret si provë e synimit gjenocidal. Po ashtu, në atë kohë në opinionin publik shfaqet sintagma – serbizimi i Kosovës, gjë që tregonte synimin për ta 'pastruar' Kosovën nga joserbët. Ky 'pastrim' ishte në përputhje me politikën e mbështetur gjerësisht të Sllobodan Milosheviçit, të paralajmëruar në fund të viteve të tetëdhjeta të shekullit të njëzetë: "O Serbia nga tri pjesë, përsëri do të jesh e tërë".
RTKLive: Po, kështu nisi shpërbërja e Jugosllavisë, në të cilën Serbia hyri me synimin për të 'korrigjuar' kufijtë brenda RSFJ-së. Në fund, të gjitha ish-republikat jugosllave mbetën brenda kufijve të tyre, vetëm Serbia humbi një pjesë të territorit të saj – Kosova, përkatësisht, nga viti 2008 është shtet i pavarur. Për viktimat të mos flasim. A e kupton shoqëria serbe se sa fatale ishte kjo politikë?
RADOVANOVIQ: Nuk e kupton. Kjo pyetje nuk shtrohet fare. Te nacionalistët serbë ideja e 'Serbisë së Madhe' mbijeton përkundër të gjithave. Falë Aleksandër Vulinit dhe ndikimit rus, së fundmi ajo është përkthyer në idenë e 'botës serbe' si pjesë e 'botës ruse', që është një nga tezat e Aleksandër Duginit, ideologut kyç të Rusisë së Vladimir Putinit. 'Bota serbe' është, pra, një ide e vjetër e modifikuar e nacionalistëve serbë që nga kohërat pas Luftës së Parë Botërore, të cilën doktori i shkencave juridike Stevan Moljeviq e paraqiti në librin...
RTKLive: 'Serbia Homogjene'.
RADOVANOVIQ: Ashtu është. Moljeviq ishte një avokat nga Banja Luka, i cili në vitin 1939, në pamfletin e tij thelbësisht politik, Serbinë homogjene e shihte si pjesë përbërëse të Jugosllavisë së Madhe. Serbia homogjene do të përfshinte të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, më shumë se gjysmën e Shqipërisë, një pjesë të Greqisë, një pjesë të mirë të Bullgarisë perëndimore, Rumaninë. Kjo është ai kufiri i Sheshelit Karlobag-Karlovac-Ogulin-Virovitica. Problemi është se, përkundër humbjeve, si ushtarake ashtu edhe morale, opsesioni me kufijtë te nacionalistët serbë vazhdon të jetë i gjallë. Sipas mendimit tim, kjo është tregues i një kompleksi të thellë inferioriteti të elitës nacionaliste dhe akademike serbe; asaj që rri edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (SANU), e të cilën e kanë përqafuar me dy duart çetnikë të ndryshëm, sheshelistë e të tjerë. 'Atje ku janë varret serbe, atje janë trojet serbe', përsërisin me dekada, pa marrë parasysh se ideologjia e bazuar në këto teza i ka kushtuar shtrenjtë si rajonit ashtu edhe Serbisë. Kompleksin e vet të thellë të inferioritetit elita serbe përpiqet ta paraqesë si superioritet të vetin, duke përsëritur për tridhjetë vjet – fillimisht në heshtje që të mos dëgjohet, e tani gjithnjë e më zëshëm – 'Vitin tjetër në Prizren'.
RTKLive: A nuk u dënua dhe u mposht edhe politika 'Vitin tjetër në Prizren'? Për shkak të pastrimit etnik në Kosovë, pothuajse i gjithë kreu shtetëror, ushtarak dhe policor i Serbisë u dënua nga Tribunali i Hagës.
RADOVANOVIQ: Dhembshuria njerëzore me viktimat, Tamara, pothuajse nuk ekziston fare tek ata të cilët, përkundër realitetit që tregon se nuk është e mundur të realizohen, vazhdojnë të avokojnë ide nacionaliste e naciste. Nacionalistët vazhdojnë të shohin ëndrrat e tyre imperialiste. “Vitin tjetër në Prizren”, përsërisin. Pse? Sepse në rrugën e arritjeve civilizuese Serbia nuk ka ecur larg; sepse mendimi shtetëror serb është pretencioz dhe kompleksesh; sepse beson se serbi është 'übermensch' i Ballkanit, se serbët janë 'popull qiellor'. Të gjitha këto serbët i bëjnë në dëm të vetvetes, duke u shkaktuar të keqen fqinjëve të tyre. Vazhdojnë edhe sepse asnjëherë nuk janë dënuar me meritë. Historiania serbe Latinka Peroviq më ka treguar një herë se në fillim të viteve të 70-ta të shekullit të 20-të, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Serbisë, Marko Nikeziq, u kishte thënë serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë se qendra e tyre nuk është Beogradi por Sarajeva, se udhëheqja serbe në Beograd nuk do të përzihet në problemet dhe statusin e serbëve në republikat e tjera jugosllave. Ja, kjo është qëndrimi kyç politik, ideologjik, po deshët edhe civilizues i ndoshta udhëheqjes më të mirë që Serbia ka pasur në historinë e saj. Natyrisht, flas për të ashtuquajturit liberalë serbë – Marko Nikeziç, Mirko Tepavac, Latinka Peroviç, Mirko Çanadanoviq... Kjo udhëheqje në tetor të vitit 1972 u zëvendësua nga dogmatët dhe nacionalistët, të cilët me politikën e tyre hapën rrugën për Sllobodan Milosheviçin dhe politikën e tij të viteve të nëntëdhjeta.
RTKLive: Ajo duhej të përfundonte para Tribunalit të Hagës?
RADOVANOVIQ: Patjetër! Vetëm një ditë pas fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, nga 25 deri më 28 mars 1999, forcat serbe në Kosovë vrisnin nga një qind civilë shqiptarë në ditë. Sllobodan Milosheviqi mori një mesazh nga prokurorja e atëhershme e Tribunalit të Hagës, Louise Arbour, e cila e kërcënon hapur se do të përgjigjet për krimet e kryera. Thonë se një paralajmërim të ngjashëm e kanë marrë edhe disa njerëz të tjerë nga udhëheqja e Serbisë, përfshirë gjeneralin Nebojsha Pavkoviq. Me përjashtim të Milosheviqit, i cili vdiq, të gjithë të tjerët më vonë u dënuan në Hagë për krime luftë. Pas Reçakut, Milosheviqi e kthye prokuroren Louise Arbour mbrapsht nga kufiri shqiptaro-kosovar, nuk e lejoi të hynte në Kosovë. Ndërkohë, ai shpikte një strategji të re.
RTKLive: Cilën?
RADOVANOVIQ: "Nuk ka kufomë, nuk ka krim", u deklaroi Milosheviqi bashkëpunëtorëve të tij, pas së cilës nisën kamionët frigoriferë me trupat e civilëve shqiptarë, varrezat masive, e më pas sanimet e terrenit.
RTKLive: Milosheviqi e urdhëroi këtë personalisht?
RADOVANOVIQ: Personalisht. Operativisht, për këtë ishte i ngarkuar ministri i policisë Vlajko Stojiljkoviç, i cili në vitin 2000 i dha plumb vetes në kokë. Ideja e Milosheviqit ishte që në varreza masive të hidheshin kufomat e civilëve shqiptarë që forcat serbe i kishin vrarë më parë në Kosovë. Kështu, besonte ai, do të fshiheshin krimet e kryera. Mirëpo, më 5 prill afër Kladovës u zbulua kamioni i parë frigorifer me tetëdhjetë e tri trupa, prej të cilëve tre apo katër ishin pa kokë. Kjo është egërsi! Kosova shpesh trajtohet si “attempted gjenocide”, si gjenocid në tentativë, çfarë ai krim faktikisht edhe është. Megjithatë, historianët, analistët, gazetarët, sociologët serbë vazhdojnë të gënjejnë, të shpikin të dhëna, të falsifikojnë.
RTKLive: Çfarë falsifikojnë?
RADOVANOVIQ: Numrin e të pësuarve. Kur bëhet fjalë për bombardimin e RFJ-së, qëndrimi zyrtar i Beogradit është se NATO ka vrarë mes dy mijë e gjysmë dhe tre mijë e gjysmë serbë. Kjo gënjeshtër përsëritet me këmbëngulje për një çerek shekulli, megjithëse vetë Sllobodan Milosheviqi në një takimi ka thënë se gjatë ndërhyrjes së NATO-s kanë pësuar 567 serbë, prej të cilëve 144 policë dhe 204 ushtarë; të tjerët janë civilë të vrarë në rrethana të ndryshme. Natyrisht, çdo njeri i vrarë është tragjedi, por këto nuk janë mijëra, siç u pëlqen të thonë megalomanëve dhe dashuruesve të vdekjes. Në të njëjtën kohë, gjatë luftës në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 13.535 njerëz. Prej tyre 10.812 (80%) janë shqiptarë, 2.197 (16%) serbë, kurse 526 viktimë janë të kombësive të tjera. Viktimat civile janë 10.317 – 8.676 shqiptare, 1.196 serbe dhe 445 viktimë të kombësive të tjera. Këto janë të dhëna të harmonizuara të pesë organizatave joqeveritare relevante, të cilat kanë bërë një punë jashtëzakonisht të rëndësishme për historinë në përcaktimin e numrit të viktimave.
RTKLive: Në librin “E qeshura nën litar” keni cekur edhe këto të dhëna, por keni hapur edhe disa tema shumë të dhimbshme dhe të pakëndshme për shoqërinë serbe. A keni pasur probleme për shkak të kësaj?
RADOVANOVIQ: Sinqerisht, kam pasur shumë më tepër kënaqësi, sepse më u dha mundësia të bisedoj dhe përmes rrjeteve sociale të hyj në kontakt me dhjetëra mijëra njerëz nga ish-Jugosllavia. Para disa vitesh isha në Prishtinë, ku dëgjova dëshmi të atyre – edhe shqiptarëve edhe serbëve – që në fund të viteve të nëntëdhjeta kaluan ferrin e luftës. Për këtë kam biseduar shumë herë me mikun tim të ngushtë dhe aktorin e shkëlqyer, fatkeqësisht të ndjerin Enver Petrovci. Libri im në Bosnjë dhe Hercegovinë është pritur shkëlqyeshëm, po ashtu si në Kosovë dhe në Kroaci. Personalisht më është shumë me rëndësi që e kam shkruar. Mendoj se është me rëndësi që e vërteta, e cila në Serbi për momentin është armiku numër një, në kuptimin etik dhe historik të gjejë rrugën e saj drejt opinionit publik.
*Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni























