PriFest mbyll edicionin e 18-të me ndarjen e çmimeve kryesore
BKT
Kulturë

PriFest mbyll edicionin e 18-të me ndarjen e çmimeve kryesore

Sh.G|RTKlive

Me shfaqjen e filmave të fundit në program dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve kryesore, mbrëmë në Prishtinë u përmbyll edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFest.

Programi i natës përmbyllëse nisi në orën 17:00 me dy filma në kuadër të Garës së Filmave të Shkurtër, “Entre Tormentas” të regjisorit Fran Zayas dhe “Il Nemico” të Andrej Chinappit.

Në orën 19:00, publiku pati mundësinë të ndjekë filmin “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, pjesë e Garës Ballkanike të këtij edicioni.

Mbrëmja u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve kryesore, ku u vlerësuan filmat dhe autorët për punën dhe arritjet e tyre artistike.

Çmimet kryesore të edicionit të 18-të të PriFest janë:

Filmi më i mirë – Vjosa Berisha Award: “Shame and Money”

Aktori më i mirë: Astrit Kabashi, për rolin në “Shame and Money”

Aktorja më e mirë: Sheqerie Buqaj, për rolin në “Hana”

Regjia më e mirë: Belkis Bayrak, për filmin “Gulizar”

Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm – Best Medium Film: “Les Nocturnes”, nga Siham Bel, Francë

Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër – Best Short Film: “These Voices Are Real”, nga Baran Nikrah, Iran

Festival Award of Appreciation: “In Pigeon’s Blood”, nga Chaya Moshayev Hod Adler

Çmimi Golden Goddess – Laureat për Arritje Jetësore iu nda Cheryl Johnson.

Ceremonia përmbyllëse i dha fund gjashtë ditëve të festivalit, të cilat u shoqëruan me premiera filmash, produksione nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, takime me kineastë, diskutime dhe aktivitete të tjera kinematografike.

Edicioni i 18-të i PriFest-it e pozicionoi sërish Prishtinën si një nga pikat e rëndësishme të skenës së filmit në rajon, duke sjellë në kryeqytet autorë dhe produksione nga skena vendore e ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kulturë