18:59 / 15.09.2026
Maqedonci: BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për veprimet destabilizuese
A.B/RTKLive
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim një delegacion të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
Maqedonci tha se i ka njoftuar për progresin në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për vendosmërinë për të avancuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ai ka theksuar rëndësinë që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit.
Sipas Maqedoncit, paqja dhe stabiliteti afatgjatë kërkojnë që këto veprime të trajtohen me vendosmëri dhe me një qasje të qartë e të unifikuar evropiane.























