Historiku i seancave në Hagë|VIDEO
Donika Sherifi/ RTK
Ndaj krerëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara në Hagë, për 3 vjet u mbajtën qindra seanca. Gjatë kësaj kohe u paraqitën materiale, argumente e kundër-argumente, derisa u dëgjuan 134 dëshmitarë. Gjatë gjithë kohës, drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm, duke theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte e drejtë e legjitime, duke shtuar se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë
Pas gati tre vitesh gjykimi. 134 dëshmitarë janë dëgjuar në sallën e gjyqit dhe mijëra prova të shqyrtuara. Procesi ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë hyri në fazën përfundimtare. Në shkurt prokuroria dhe mbrojtja paraqitën argumentet e fundit, ndërsa qëndrimet e tyre i shprehën edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët i u drejtuan për herë të fundit trupit gjykues.
Ish-presidenti Hashim Thaçi e nisi fjalën duke uruar Kosovën për 18 vjetorin e Pavarësisë. Ai u kthye pas në kohë të vitit 1998 dhe te vendimi për t'u kthyer në Kosovë.
"Të nderuar gjyqtarë. Më lejoni të përsëris një të vërtetë përjetshme. I vetmi, ama bash i vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviçi. Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë. Veçanërisht kur gjatë luftës unë nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë e prej ditës në ditë", tha Thaçi.
Te lufta dhe kujtimet e saj u kthye edhe Kadri Veseli. Ish-kryeparlamentari tha se populli i Kosovës kishte të drejtë të jetonte i lirë dhe me dinjitet.
"Pas dekadash hetimesh, dokumentesh dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi, kjo është çështje fakti. Sa i përket pjesëmarrjes sime në luftë, ajo nuk ka lindur prej dëshirës sime për konflikt", theksoi Veseli.
Më pas para gjyqtarëve foli Rexhep Selimi. Ai tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi dhe se UÇK-ja, sipas tij, nuk ishte krijuar nga dëshira për luftë, por nga nevoja për mbijetesë.
"Shpresoj se trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë", pohoi Selimi.
E Jakup Krasniqi pati një deklaratë më personale. Ai nuk foli vetëm për luftën dhe akuzat. Foli për kohën, për vitet e humbura larg familjes, larg Kosovës dhe larg jetës së zakonshme.
"Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimin tim politik dhe jetësor për jetë e liri jam angazhuar që herët", tha Krasniqi.
Me këto deklarata Dhomat e Specializuara përmbyllën punën disa vjeçare, duke e dërguar procesin vetëm një hap larg përfundimit.























