JICA japoneze fuqizon kapacitetet e RTK-së
BKT
Në Fokus

JICA japoneze fuqizon kapacitetet e RTK-së

Islam Haxhiu| RTK

Në përmbyllje të projektit trevjeçar për ngritjen e kapaciteteve zhvillimore në mediumin publik, Menaxhmenti i RTK-së ka pritur sot në takim përfaqësuesit e JICA-s japoneze.

Me këtë rast, drejtuesit e RTK-së i kanë falënderuar përfaqësuesit e JICA-s për kontributin dhe përkrahjen e vazhdueshme dhënë Televizionit Publik të Kosovës.

Pas takimit, përfaqësuesit e JICA-s kanë vizituar Zyrën Rajonale të RTK-së në Pejë, për t`i parë nga afër rezultatet dhe përfundimin e projektit trevjeçar.

“Jam vërtet i impresionuar me punën që është bërë deri më tani. Edhe pse kanë kaluar vetëm rreth gjashtë muaj nga fillimi, është arritur shumë. Shpresoj që puna dhe temat që trajtohen këtu të ndikojnë pozitivisht në mënyrën se si kjo komunë prezantohet në të gjithë Kosovën, por edhe jashtë vendit. Jemi shumë të kënaqur që Zyra Rajonale po shfrytëzohet plotësisht dhe po përdoret në mënyrë aktive”, tha përfaqësuesi i JICA-s.

“Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për RTK-në, sepse ngërthen në vete një zyrë rajonale që ka kapacitete dhe hapësirë për prodhimin e programeve, me mundësi të transmetimit të drejtpërdrejtë. Këtu kemi një studio me sipërfaqe prej rreth 50 metrash katrorë, e kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme. Po ashtu, kemi edhe dhomën e regjisë, e cila mundëson realizimin e programeve dhe lidhjet e drejtpërdrejta nga terreni, duke u ndërlidhur edhe me qendrën kryesore në Prishtinë”, tha Adnan Fejza, udhëheqës i teknologjisë në RTK.

Fejza tha se pas kompletimit të kësaj zyre, RTK-ja, falë kapaciteteve të ndërtuara këtu, do të jetë në gjendje të mbulojë më lehtë dhe në mënyrë më efikase të gjithë rajonin e Dukagjinit.


MË SHUME NGA Në Fokus