Haradinaj pas vendimit në Hagë: Jo në emrin tim
BKT
Lajme

Haradinaj pas vendimit në Hagë: Jo në emrin tim

E. Hoti/ RTKlive

Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Haradinaj është shprehur i tronditur nga vendimi, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe të padrejtë.

“Jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-në. Vendimi i sotëm është i papranueshëm dhe i padrejtë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje që të pritet edhe vendimi i shkallës së dytë, duke theksuar se beteja për drejtësi duhet të vazhdojë.

“Vendimi i sotëm me dënim është i papranueshëm, i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë”, ka thënë ai.

Haradinaj u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos dëmtojnë pronën apo jetën e qytetarëve.

“Qytetarë të Kosovës, shqiptarë kudo që jeni, për Kosovën dhanë jetën njerëzit më të çmuar të kombit tonë. Nuk kemi atdhe tjetër. S’kemi vend tjetërJu ndihmojmë armiqve nëse dëmtojmë pronën e Kosovës, jetën e njerëzve tanë. Nëse e shkatërrojmë Kosovën, i ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, ka përfunduar ai.


MË SHUME NGA Lajme