Islami: Koha për maturi e unitet
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe unitet pas verdiktit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Islami ka theksuar se vendimi nuk është përfundimtar dhe se e drejta për ankimim do të shfrytëzohet përmes rrugëve ligjore.
“Ne besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se krerët e UÇK-së do të dëshmojnë pafajësinë e tyre në proceset e mëtejshme”, ka shkruar ai.
Islami u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe reagimeve të pamatura, duke paralajmëruar se çdo përçarje mund të shfrytëzohet nga ata që synojnë destabilizimin e Kosovës.
Ai ka kërkuar ruajtjen e qetësisë, dinjitetit dhe unitetit, duke vënë theksin në mbrojtjen e Republikës së Kosovës, të ndërtuar, siç ka shkruar, me sakrifica të mëdha dhe gjakun e dëshmorëve e luftëtarëve të UÇK-së.
“Në këto momente, përgjigjja jonë le të jetë maturia, uniteti dhe besimi në drejtësi. Kosova është më e madhe se çdo moment i vështirë. Ta ruajmë së bashku”, ka përfunduar Islami.























