Fetoshi: Jo veprime në afekt, Kosova të flasë me një zë
A.B/RTKLive
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka bërë thirrje që Kosova të shmangë veprimet në afekt dhe të flasë me një zë.
"Vendimi i sotëm në Hagë ka shkaktuar revoltë të kuptueshme, por serioziteti dhe qëndrueshmëria jonë maten pikërisht në momente të tilla. Gjykata Speciale ishte një padrejtësi e imponuar ndaj Kosovës, me insistimin e partnerëve strategjikë, pas reve të zeza të krijuara nga fabrikimet monstruoze ndaj UÇK-së dhe udhëheqësve të saj. Mirëpo, thirrjet e sotme për shfuqizim, ndonëse të mundshme si procedurë në Kuvend, nuk e zgjidhin dot çështjen dhe mund të kenë pasoja serioze ndërkombëtare për Kosovën. Sepse, ajo nuk mbështetet vetëm në Ligjin për Gjykatën, por edhe në marrëveshjen ndërkombëtare me BE-në dhe nenin 162 të Kushtetutës, i cili e ka lidhur mandatin e saj me njoftimin nga Këshilli i BE-së për përfundimin e tij", ka shkruar Fetoshi në Facebook".
Sipas tij, vendimi i sotëm është skandaloz. "Por, mllefi s’duhet të jetë strategjia jonë shtetërore. Çdo veprim në afekt, incident apo përshkallëzim, mund të ketë pasoja institucionale dhe ndërkombëtare, duke i dhënë Serbisë “provën” kundër Republikës së Kosovës. Nëse Serbia do ta përdorë vendimin si një fitore të propagandës së saj kundër UÇK-së dhe NATO-s, nuk duhet të lejojmë që ajo të kthehet edhe në fitore politike. Por, nëse mllefin e kthejmë sot në veprime që mund të instrumentalizohen, ky do të ishte rreziku fatal për sakrificën sublime të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj. Prandaj, sulmet nuk janë zgjidhja dhe nuk e ndryshojnë dot vendimin. Përkundrazi, ato mund ta dobësojnë pozitën e Kosovës në kohën kur më së shumti i duhet kredibiliteti, stabiliteti dhe uniteti politik. Prandaj, thirrjet revoltuese për zhbërjen e gjykatës nuk duhet ta zëvendësojnë atë që është beteja më e rëndësishme në vazhdim: Apelin", tha ai.
Duke shtuar se politikanët duhet të komunikojnë me qytetarët, në mënyrë që ky moment sfidues të përballohet me unitet, maturi dhe përgjegjësi shtetërore.
"Dalja e liderëve institucionalë e politikë në një konferencë të përbashkët për media, do të ishte mesazhi i duhur në këto momente. Të bashkuar, t’u kërkojnë qytetarëve qetësi, maturi e përmbajtje, të shqyrtojnë çdo opsion dhe të zotohen se do të bëjnë gjithçka për betejën në Apel. Të bashkuar, t’u tregojnë partnerëve ndërkombëtarë se e kundërshtojnë vendimin dhe të tregojnë më në fund se, për interesat themelore të shtetit, Kosova flet me një zë. Sot dhimbja është legjitime, por duhet të jemi të bashkuar, për të mos e dëmtuar shtetin tonë. Asnjë veprim në afekt dhe asnjë incident publik nuk është në interesin e Kosovës. Mllefi ynë s’duhet t’i shërbejë agjendës shoviniste të Serbisë. Beteja tani është shumë më e madhe se shfryrjet e mllefit: betejë juridike për Apelin, betejë politike për Unitetin dhe betejë strategjike për Interesat e Republikës së Kosovës", tha Fetoshi.























