Mbrojtja paralajmëron apelimin e aktgjykimit|VIDEO
BKT
Lajme

Mbrojtja paralajmëron apelimin e aktgjykimit|VIDEO

Donika Sherifi/RTK

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të kalojë në shkallën e dytë të gjykimit. Mbrojtja ka paralajmëruar apel, ndërsa njohësit e së drejtës thonë se në aktgjykim ka çështje që mund të kundërshtohen. Sipas tyre, procedura e apelit mund të zgjasë më shumë se një vit e gjysmë.

Vendimi i Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të përballet me apel, pasi mbrojtja ka paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit në shkallën e dytë.

Njohës të ligjit thonë se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka shumë hapësirë ku mund të apelojë e që do ta ndryshonte dënimin prej 81 vitesh burg për ta.

“Është shumë interesante se disa ndalime të paligjshme, trajtime mizore apo edhe vrasje, Thaçit dhe të tjerëve po iu atribuohen edhe për periudhën kohore sa ata kanë qenë në Rambuje, imagjinoni dikush është në Rambuje duke zhvillu negociata politike e atje po të faturohet një krim që se ke bo fare, prandaj kjo duhet të bëhet e qartë, pra juridikisht ka shumë baza ankimore të cilat mbrojtja edhe do ti shfrytëzoj”, tha Artan Qerkini, avokat.

Edhe avokati Florim Shefqeti thotë se Apeli mund të marrë vendim pozitiv për Thaçin dhe të tjerët në Hagë. Sipas tij, ky vendim mund të vonohet më shumë se një vit e gjysmë.

Ndërkohë, një ditë pas aktgjykimit, Specialja ka vendosur që dëmshpërblimi për viktimat të trajtohet në Hagë, përmes një procedure të veçantë, ndërsa shuma dhe mënyra e kompensimit do të përcaktohen më vonë.


MË SHUME NGA Lajme