Kërkohet unitet politik dhe lobim më i fuqishëm për katërshen e UÇK-së në Hagë
Arbresha Berisha/ RTK
Njohës të çështjeve politike e kushtetuese kanë kërkuar unitet mes spektrit politik në Kosovë, në mënyrë që të mbështetet katërshja e UÇK-së. Në këtë situatë thuhet se e rëndësishme është që vendi të ketë të funksionalizuara të gjitha institucionet. Analistët kërkojnë po ashtu më shumë lobim ndërkombëtar për çështjen në Hagë.
Përtej dallimeve politike, politikëbërësve në Kosovë po u kërkohet unitet e qasje të koordinuar përballë gjykimit dënues të katërshes së UÇK-së në Hagë.
Njohës të zhvillimeve politike thonë se në këtë periudhë është e rëndësishme që Kosova të ketë institucione funksionale, në mënyrë që të adresohen zhvillimet në Hagë e të përfaqësohen ish-krerët e UÇK-së.
"Nuk mjafton vetëm beteja ligjore, duhet diplomaci e fortë. Ne nuk mund të kemi diplomaci të fortë nëse nuk kemi shtet të fortë. E nëse duam të kemi një shtet të fortë, problemet e brendshme duhet të eleminohen, të krijohen institucionet, të ketë qeveri e cila ka legjitimitet, të ndiqen pastaj kanalet e komunikimit dhe lobimit, të rikthehen në tryezë ose të të gjenden edhe mënyra për të kontaktuar me miqtë, me aleatët tanë”, tha Arbër Jashari, njohës i kushtetutës, avokat.
"Ne duhet të dërgojmë mesazh edhe të bashkimit të brendshëm në Kosovë edhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe shteteve mike që ne jemi me ata dhe për ata duhet të ketë drejtësi tjetër sepse kjo drejtësi është politike.", tha për RTK, Sadik Zeqiri, njohës i çështjeve politike.
Analistët thonë se përtej betejës ligjore, spektri politik në Kosovë duhet të angazhohet në lobim në arenën ndërkombëtare.
“Duhet të ndajnë një buxhet të mjaftueshme për lobim. Kemi kohë ende për lobim. Duhet të lobojmë te shtetet mike, ku e dimë se Serbia ka nda buxhet të jashtëzakonshëm me lobua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër krerëve të UÇK-së”, tha Zeqiri.
“Kosovës i duhen institucione të forta, diplomaci e fortë dhe lobim i fuqishëm. Në vendet ku janë ndikuese dhe përcaktuese të politikave. Përndryshe vetëm duke o fokusuar në çështje ligjore dhe punët që duhet të kryejnë avokatë, jam skeptik se mund të sjell rezultate” , tha Jashari.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, të enjten ka takuar kryeministrin, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e atë të Aleancës, Ardian Gjini. Gjatë takimeve u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit për gjykimin dënues dhe proceset e mëtejshme ligjore për ish-krerët e UÇK-së.























