KQZ ndan 10% të mjeteve për financimin e aktiviteteve të deputetëve
A.B/RTKLive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 87-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi. Vendimet u morën në mbledhje elektronike.
Sipas rendit të ditës, me qëllim të financimit të aktiviteteve dhe punës së secilit deputet, KQZ mori vendim për ndarjen e 10% të mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për periudhën 13 shtator – 31 dhjetor 2026, sipas tabelës në vijim:
| Nr. | Subjektet politike | Ndarja e vendeve | Fondi 10%
për deputetët |
| 1 | Lëvizja VETËVENDOSJE! | 49 | 59,068.49 € |
| 2 | GUXO | 3 | 3,616.44 € |
| 3 | ALTERNATIVA | 1 | 1,205.48 € |
| 4 | PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK | 22 | 26,520.55 € |
| 5 | LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK | 18 | 21,698.63 € |
| 6 | SRPSKA LISTA | 9 | 10,849.32 € |
| 7 | AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS | 7 | 8,438.36 € |
| 8 | KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ – KDTP | 2 | 2,410.96 € |
| 9 | INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS-IRDK | 1 | 1,205.48 € |
| 10 | JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA | 1 | 1,205.48 € |
| 11 | Koalicija Vakat | 1 | 1,205.48 € |
| 12 | NOVA DEMOKRATSKA STRANKA | 1 | 1,205.48 € |
| 13 | PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE | 1 | 1,205.48 € |
| 14 | PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS – PREBK | 1 | 1,205.48 € |
| 15 | PSA | 1 | 1,205.48 € |
| 16 | SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU | 1 | 1,205.48 € |
| 17 | ZA SLOBODU PRAVDU I OPSTANAK | 1 | 1,205.48 € |
| Totali | 120 | 144,657.53 € | |
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ shqyrtoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim për pezullim të partisë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), e cila nuk ka mbajtur deri më tani kuvendin zgjedhor. Partitë politike, sipas Rregullës Zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike janë të obliguara që ta informojnë Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) për mbajtjen e kuvendit/konventës.
Partia politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), e regjistruar më 5 nëntor 2010, ka qenë e obliguar që kuvendin e radhës ta mbajë deri më 11 shtator 2026 dhe për këtë është njoftuar disa herë nga Zyra.
Po sipas vendimit të KQZ-së, PAI obligohet që ta mbajë konventën/kuvendin e saj zgjedhor në një afat shtesë prej 45 ditësh, në të kundërtën do ta çregjistrojë atë nga regjistri i partive politike në Kosovë.























