Konferenca e tetë teatrore me nismë ndërkombëtare për rrjetëzim
A.B/RTKLive
Konferenca e tetë teatrore, e organizuar në Prishtinë, ka sjellë në jetë nisma të reja bashkëpunimi mes artistëve kosovarë dhe krijuesve teatrorë nga disa vende të botës. Edicioni i sivjeytëm me karakter ndërkombëtar, trajtoi jo vetëm organizatat dhe produksionet, por edhe individin që hyn në “botën e granteve”.
Një artist mund të fillojë duke konkurruar për mbështetje të vogla, të fitojë përvojë, të ndërtojë portofol, të krijojë partneritete dhe të zhvillojë një karrierë artistike. Por kjo përvojë nuk i garanton domosdoshmërisht vazhdimësi pune, të ardhura të qëndrueshme apo një pozitë më të sigurt brenda sistemit. Kjo ngre pyetjen nëse financimi publik krijon vetëm mundësi të përkohshme për të prodhuar, apo edhe një rrugë reale zhvillimi profesional.
Në të njëjtën kohë, konferenca shqyrtoi çfarë ndodh pasi projekti realizohet: si financohen reprizat, turnetë, pjesëmarrja në festivale, mobiliteti i artistëve dhe kompanive, si dhe vazhdimësia e një pune që tashmë ka dëshmuar vlerë. Një produksion mund të përfundojë administrativisht me premierën dhe raportimin, ndërsa jeta e tij artistike sapo ka filluar.
Diskutimi krahasoi përvojat e vendeve pjesëmarrëse, raportin ndërmjet individit, projektit dhe institucionit, si dhe dallimin ndërmjet mbështetjes në nivel qendror dhe local, duke shtruar pyetjen se si mund të ndërtohet një sistem që shpërblen cilësinë dhe vazhdimësinë, ruan konkurrueshmërinë dhe hapësirën për artistë e organizata të reja, pa e kthyer mbështetjen publike në privilegj të përhershëm.
Artistë nga Rumania, Turqia, Polonia, Bullgaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipëria dhe Kosova, shkëmbyen vlerësimet e tyre për temën e konferencës,
Profesoresha e regjisë së teatrit, Eli Nura bëri një përmbledhje të politikave kulturore në Kosovë, që në nivelin qëndror kanë shënuar një avancim viteve të fundit, por pa e garantuar megjithatë qëndrueshmërinë financiare të projekteve artistike. Sipas saj, nevojitet një mbështetje më e madhe për skenën e pavarur, e cila edhe pse me më pak buxhet, ka rezultate dukshëm të mira. Regjisori Artan Tmava, përmendi faktin se krijuesit teatrorë, nuk mund të përkushtohen tërësisht ndaj skenës, pasi të ardhurat janë të pamjaftueshme, prandaj nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme.
Aktori nga Polonia, Sebastian Słomiński, ndau përvojën e tij duke theksuar se në vendin e tij është instituti Adam Mitcky i cili mbështet përfaqësimin e shfaqjeve polake nëpër botë, duke e parë këtë si politikë për promovimin e kulturës polake. Edhe ai theksoi se mbështetja e skenës së pavarur teatrore ne Poloni lë për të dëshiruar kur bëhet fjalë për rimbursimin e shpenzimeve.
Andrea Taanase, aktore nga Rumania, tha se shpesh duhet vetë të sigurojnë fonde. Një element tjetër që e përmendi, ishte edhe pamundësia e plot artistëve për të aplikuar në fonde evropiane, për shkak të procedurave dhe mungesës së njohurive të mjaftueshme të krijuesve për të bërë aplikimet.
Batuhan Kartal, regjisor dhe aktor turk, theksoi se teatri shtetëror mbështetet në Turqi, por jo edhe skena e pavarur. Sipas tij artistët bëjnë edhe punë të tjera që të jetojnë, ndërsa edhe nëse ke të ardhura nga teatri, shteti ka tatime të larta.
Aktori Abdulah Alialkadeim, tha se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajne fonde për teatrin, por krijuesit atje, kryesisht lëvizin në rajon dhe jo më gjerë. Ai theksoi se mungesa e audiencës, ndikon edhe te mungesa e fondeve.
Ana Bateva, regjisore dhe producente nga Bullgaria tregoi përvojën e saj në nivelin qëndror dhe lokal, duke potencuar edhe ndikimin e jostabilitetit politik në politikat e ndarjes së fondeve.
Erleta Rexhepi, regjisore e teatrit, u shpreh se aplikimet në Kosovë, janë të kufizuara dhe shpesh duhet vetë të mbulojnë shpenzimet për të ruajtur cilësinë e një projekti artistik.
Në fund të diskutimeve, pjesëmarrësit ranë dakord që të dilet me një nismë konkrete për të krijuar një rrjet të ri bashkëpunimi, që do të shtontë mundësitë për financimin e projekteve të përbashkëta.
Konferenca teatrore është pjesë e programit vjetor të organizatës Cult Club, që mbështetet nga Ministria e Kulturës.























