ADN vërteton identitetin e tri viktimave, Kurti e çon çështjen në OKB
Donika Sherif/RTK
Një kthesë e rëndësishme, njëkohësisht edhe e dhimbshme, ka ndodhur në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Tri raportet e para të ADN-së, tashmë kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e tri viktimave, eshtrat e të cilëve u zhvarrosën së fundmi në varrezat masive në Zubin Potok.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se bëhet fjalë për anëtarë të "Grupit të Intelektualëve" të rrëmbyer nga forcat serbe në prill të vitit 1999. Kreu i qeverisë bëri të ditur se këtë çështje do ta ngrejë si prioritet edhe gjatë takimeve diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.
Ankthi 27-vjeçar i pritjes ka marrë një përgjigje ligjore për tri familje shqiptare në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Analizat e kryera në më pak se dy muaj nga zbulimi i varrit masiv, kanë konfirmuar se eshtrat u përkasin viktimave të njohura si “Grupi i Intelektualëve”, qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët u rrëmbyer dhe u zhdukën me dhunë më 19 prill të vitit 1999 nga forcat serbe.
Familjarët e tri viktimave të identifikuara tashmë janë njoftuar zyrtarisht, ndërsa institucionet presin rezultate të tjera në javët në vijim. Gjetja e këtij varri masiv ka riaktualizuar nevojën emergjente për trysni ndërkombëtare mbi Beogradin zyrtar. Kosova po kërkon me ngulm zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel, e veçanërisht hapjen e arkivave të Brigadës së 37-të të ushtrisë Jugosllave, e cila kreu masakra të tmerrshme në rajonin e Drenicës. Këto dokumente u klasifikuan si sekrete nga Serbia në vitin 2014, për një periudhë 30-vjeçare.
Kjo temë pritet të jetë kryefjalë e diplomacisë kosovare edhe përtej oqeanit. Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kurti ka premtuar se drejtësia për viktimat do të jetë në qendër të angazhimit të tij.
“Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit", ka nënvizuar kryeministri Kurti.
Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë mbetet një prioritet shtetëror dhe një detyrim njerëzor i hapur. Derisa ekipet në terren vazhdojnë kërkimet, institucionet zotohen se nuk do të ndalen derisa të kthehet me dinjitet edhe trupi i fundit i qytetarëve të Kosovës që u morën mizorisht 27 vjet më parë.























