RTK, dritarja e parë e informimit, që nisi rrugëtimin menjëherë pas luftës
Arbana Hajredinaj /RTK
Më 19 shtator të vitit 1999, në një Kosovë që sapo kishte dalë nga rrënojat e luftës dhe nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, nisi transmetimi i parë i Radiotelevizionit të Kosovës.
Në rrethana të jashtëzakonshme dhe me kapacitete minimale teknike, ky medium u kthyer shpejt në dritaren kryesore dhe të besueshme të informimit të lirë.
Ajo që nisi si një transmetim i kufizuar ditor, pësoi evolucion të madh pas vitit 2001, kur RTK transformohet ligjërisht në Transmetues Publik të Pavarur, duke zgjeruar skemën programore në 24 orë lajme, dokumentarë, kulturë dhe edukim.
Sot pas rreth tri dekadave, RTK funksionon si një rrjet i madh mediatik, duke numëruar katër kanale televizive, si dhe dy stacione radiofonike kombëtare.
Gjatë këtij rrugëtimi 27-vjeçar, ky institucion ka mbajtur peshën e dokumentimit të ngjarjeve më të rëndësishme që ndryshuan historinë e vendit: nga shpallja e Pavarësisë, proceset komplekse politike, e deri te prezantimi i sukseseve të mëdha të Kosovës në arenën ndërkombëtare të kulturës dhe sportit.
Përtej sfidave të vazhdueshme financiare dhe operacionale, RTK vazhdon ecjet drejt synimit të modernizimit përmes digjitalizimit të plotë dhe reformave në përmbajtje, duke synuar të mbetet konkurrues në tregun digjital.
Në këtë përvjetor, udhëheqja e institucionit ka shprehur mirënjohje për të gjithë punonjësit që dhanë kontribut ndër vite, duke vënë theksin te misioni i pandryshueshëm: ruajtja e objektivitetit dhe mbetja si adresa kryesore e kujtesës kolektive të Kosovës.
Përmes një porosie drejtuar të gjithë punonjësve, drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, pa anashkaluar vështirësitë të shumta, veçanërisht të natyrës financiare, në këtë përvjetor, ka nënvizuar se aseti më i çmuar i këtij mediumi nuk janë ndërtesat apo buxhetet, por vetë njerëzit e tij. Dhe një falënderim ‘sdo mend se shkon drejt publikut, në shërbim të të cilit është dhe transmetuesi publik.
"Një rrugëtim i ndërtuar ndër vite me punë, përkushtim dhe përgjegjësi ndaj publikut. Për 27 vjet, RTK ka qenë pranë jush, duke përcjellë ngjarjet më të rëndësishme dhe duke sjellë informacionin në shtëpitë tuaja. Në këtë përvjetor, falënderimi ynë më i madh shkon për ju, shikuesit dhe dëgjuesit, për besimin dhe mbështetjen tuaj ndër vite. Në emër të gjithë stafit të RTK-së, ju falënderojmë që jeni pjesë e rrugëtimit tonë, gëzuar 27 vjetorin e Radio Televizioni të Kosovës", tha ajo.























